Ilustrim

Skeptikë Për Zbatimin e Strategjisë Për Zhvillim Kombëtar

Analistë të fushës së ekonomisë aprovimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim nga ana e Qeverisë së Kosovës e vlerësuan si dokumentin më të rëndësishëm dhe më serioz deri më tash për sa i përket zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Sipas analistit, Ibrahim Rexhepi, Kosova kaherë është dashur ta ketë këtë strategji. Ai vlerëson se janë shpenzuar miliona euro në këtë drejtim të cilat nuk kanë dhënë rezultate pozitive.

Por ai shtoi se kjo strategji do të ketë vlerë vetëm nëse zbatohet.

“Dokumenti e ka vlerën vetëm nëse implementohet, e cila mund t’iu shërbejë qoftë atyre sektorëve të brendshëm qoftë atyre të jashtëm që të dihen se ku janë potencialet dhe ku janë mundësitë sipërmarrëse dhe investimeve,” tha Rexhepi për KALLXO.com.

Ndërkaq, Agron Demi nga Instituti GAP, strategjinë për zhvillim e konsideroi si hapin më serioz që Kosova ka ndërmarrë në drejtim të zhvillimi ekonomik. Edhe Demi thotë për KALLXO.com  se zbatimi i strategjisë mbetet sfidë.

http://kallxo.com/strategji-per-zhvillim-ne-pajtim-me-hapat-integrues/

“Por sfida më e madhe do të mbetet zbatimi i saj, për shkak se nevojiten fonde të mëdha buxhetore për të zbatuar aktivitetet e parapara me strategji dhe plan veprimi, e disa nga këto aktivitete nuk gjejnë mbështetje në Buxhetin e 2016,” theksoi Demi.

Rexhepi mendon se duke  e pasur parasysh situatën politike në vend, ende nuk ka ambient të përshtatshëm për zbatim e kësaj strategjie.

“Nuk ka një ambient të përshtatshëm për zbatimin e kësaj strategjie, duke pasur parasysh situatën në rrafshin politik në vend, çfarë është situata në institucionet e shtetit, çfarë është niveli i korrupsionit, paligjshmërisë, mungesë efikasiteti i atyre që pikërisht duhet të implementojnë këtë strategji,” shtoi ai.

Demi shprehet se strategjia përfshinë fushatë të cilat Komisioni Evropian i ka identifikuar si problematike.

“Strategjia përqendrohet kryesisht në ato fusha të cilat janë identifikuar si problematike nga ana e Komisionit Evropian,” përfundoi Demi për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, e cila është e ndarë në katër shtylla në të cilat përfshihen kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës.