A është koha ta rishikojmë sistemin qeverisës në Kosovë?

Më shumë se një dekadë, asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e plotë, mes krizash të cilat e vënë në pikëpytje funksionimin e sistemit politik në Kosovë.

 

Zgjedhjet e parakohshme në Komunën e Podujevës të dielën e kaluar dëshmuan edhe një herë që bastionet politike nëpër komuna janë koncepte të tejkaluara: votuesit e kësaj komune me mbi 50% të votave zgjodhën një kryetar të ri Shpejtim Bulliqin e Vetëvendosjes, duke bërë që për herë të parë në Podujevë të mos fitojë LDK-ja që ka qeverisur me këtë qytet që nga paslufta.

Sistemi qeverisës në komuna është ndryshuar në vitin 2007, duke u’a mundësuar qytetarëve që të votojnë direkt për kryetarin e komunës. Kjo ka bërë që të shuhen bastionet partiake në shumicën e komunave dhe të rritet llogaridhënia. Ndryshimi më i madh u pa në zgjedhjet lokale të 2013, kur 25 nga 38 komuna shkuan në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe në fund të procesit zgjedhor pushteti u ndërrua në 55% të komunave.

Ndryshimi i pushtetit në nivel lokal dhe shuarja e bastioneve politike kanë rritur përgjegjësinë, llogaridhënien dhe transparencën. Sipas matjeve periodike të Institutit GAP, transparenca buxhetore e komunave është rritur dukshëm. Edhe matjet e KDI tregojnë për transparencë më të mirë sa i përket prokurimit publik, diskutimeve publike, raportimet buxhetore. Gjithashtu, raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë identifikuar më pak keqpërdorime se sa viteve të mëhershme.

Natyrisht, ende ekzistojnë probleme të mëdha në qeverisjen lokale por megjithatë qeverisja lokale ka treguar më pak kalkulime për pushtetin dhe është treguar më efikase.

E njejta nuk shihet në nivelin qendror. Sistemi zgjedhor dhe ai partiak nuk nxjerr fitues të qartë, ku mund të sigurohet shumica e parlamentare. Premtimet zgjedhore braktisen menjëherë pas zgjedhjeve, për shkak se partia fituese obligohet që ta ndajë përgjegjësinë me partitë më të vogla dhe partitë të cilat kanë qenë pjesë e pushtetit. Për të formuar qeverinë, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër më 2017 u detyrua që t’i jap 26% të përbërjes qeveritare partisë së Behgjet Pacollit, AKR-së, e cila kishte 3% përfaqësim në Kuvend, apo vetëm 4 deputetë.

Zakonisht kjo ndarje e pushtetit nuk bëhet mbi baza parimore e programore, por përfitimeve personale e partiake. Qeveritë nuk e kanë të sigurtë shumicën e votave në Kuvend. Zgjedhjet asnjëherë nuk sjellin ndryshim rrënjësor, ngase edhe partitë që deri dje ishin në opozitë detyrohen të bëjnë kompromise me partitë që ishin në pushtet dhe janë përgjegjëse për keqqeverisjen. Kryeministrat janë të dobët karshi partnerëve të koalicionit dhe të pafuqishëm për të shtyer agjenda në Kuvend.

Modeli i qeverisjes i imponuar nga komuniteti ndërkombëtar në vitin 2001, me miratimin e Kornizës Kushtetuese, është i dizajnuar për shoqëritë e dala nga konfliktet, dhe ka për qëllim të pamundësojë që një grup etnik apo politik/ideologjik të mund të qeverisë i vetëm. Ky lloj sistemi qeverisës gjithmonë prodhon qeveri shumë etnike dhe shumë-partiake, por si të tilla janë të menduara vetëm si zgjidhje tranzitore.

Ky model i qeverisjes shpesh e redukton demokracinë në matematikë, dhe për të siguruar numrat e nevojshëm për votimin e qeverisë partia fituese shtrëngohet që jo vetëm të hyjë në koalicione me parti të spektrit të kundër ideologjik, por edhe të ndaj për to poste ekzekutive në disproporcion me numrin e ulësve të mbajnë në Kuvend.

Kjo ka rezultuar me një situatë ku kryeministrat nuk janë në gjendje të zbatojnë platformat qeverisëse mbi të cilat partitë e tyre kanë fituar zgjedhjet, dhe përgjatë mandatit të mbahen peng nga partitë e vogla. Për pasojë, nga viti 2008 asnjë qeveri nuk ka arritur ta përmbush mandatin e plotë qeverisës.

Pengesë tjetër për kryeministrat në zbatimin e programit qeverisës është edhe ndarja e pushtetit ekzekutiv me Presidentin, sidomos në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe drejtësisë.

 

Kjo ishte evidente veçanërisht pas zgjedhjeve të vitit 2019, kur Qeveria e re ishte e shtrëngruar ta ndajë pushtetin me një President që “vinte” nga partitë opozitare, dhe ‘pesha politike’ e tij i jepte edhe më shumë peshë sesa kompentecat që i jep Kushtetuta.

Për të adresuar këto probleme si hap i parë mund të konsiderohet rritja e pragut zgjedhor nga 5 përqind npërqind 10 përqind. Kjo do të ndikonte në shuarjen e partive të vogla, ndërkohë që mospajtimet brenda partive ekzistuese do të manifestoheshin përmes fraksioneve të brendshme, dhe jo krijimit të partive të reja.

Zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të ulëseve në Kuvend në jo më shumë se 100, dhe i ulëseve të garantuara për komunitetet pakicë në jo më shumë se 10, është masë tjetër që duhet të merret parasysh. Kufizimi i kompetencave të Presidentit në nivel simbolik e ceremonial është një zgjidhje tjetër që duhet konsideruar.

Këto janë vetëm disa nga masat që duhet të ndërmerren për të funksionalizuar sistemin e qeverisjes në sistemin qëndror, duke i krijuar mundësinë partisë ose koalicioneve parazgjedhore të cilat fitojnë zgjedhjet që ta zbatojnë programin e tyre qeverisës.

Në këtë mënyrë ashtu siç ndodhi me nivelin lokal, qartësimi i përgjegjësisë, presioni i votuesve dhe lehtësia e ndëshkimit me votë, do të ndikonin në rritjen e nivelit të përgjegjshmërisë tek partitë politike. Përgjegjësia për të qeverisur do të bartej në tërësi te partia ose partitë fituese të zgjedhjeve, ndërkohë Kuvendi do të ishte arena ku partitë opozitare do mbanin përgjegjëse mazhorancës përgjatë gjithë mandatit.

Ndryshimi i Kushtetutës është i domosdoshëm për të siguruar funksionimin efikas të sistemit të qeverisjes, dhe shfuqizimin e një sërë aktgjykimesh të Gjykatës Kushtetuese të cilat duke qenë të motivuara politikisht veçse e kanë komplikuar procesin e formimit dhe funksionimit të institucioneve.

Andaj, pas 20 viteve, është e domosdoshme të nxitet debati për rishikimin e tërësishëm të sistemit qeverisës dhe nisjes së procesit të ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës. Ndonëse Plani i Ahtisarit do të vështirësonte ndryshimet radikale, kjo nuk duhet ta pamundësojë nxitjen e debatin për ta tejkaluar krizën e vazhdueshme institucionale që po përcjellë vendin më shumë se një dekadë nga shpallja e pavarësisë.