Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agron Demi: Kemi përgatitur dosje me të gjitha keqpërdorimet në RTK në 10 vitet e fundit

Agron Demi, analist politikash në institutin GAP ka bërë të ditur se në bashkëpunim me avokatë ka përgatitur një  dosje me keqpërdorimet që kanë ndodhur në Radio Televizionin e Kosovës në 10 vitet e fundit.

Demi ka thënë se shpreson që të ketë prokurorë për të vazhduar më tutje këtë rast.

“Këtë javë, bashkë me shoqërinë e avokatëve “Sejdiu&Qerkini” kemi përgatitë një dosje me të gjitha të bëmat e RTK-së për një dekadë. Nëse ka vullnet ndoj prokuror/e me vazhdu prej këtu apo në rast se themelohet një komision hetimor parlamentar, dosjen e keni gati… Përveç kësaj, në dosje i kemi përfshi krejtë rastet, prej A deri në R”, ka shkruar ai.

Analisti Demi e ka konsideruar ironi se si para disa ditësh ai është paditur nga RTK për dëmtim të imazhit, ndërsa gjykata nuk i dhënë përparësi padisë së Sindikatës së RTK-së për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit gjeneral, Ngadhnjim Kastrati.

“Ironia: më 23 maj 2019, Sindikata e RTK dorëzon padi kundër Bordit për përzgjedhjen jo-ligjore të drejtorit të përgjithshëm të RTK, ngase ky drejtor kishte marr më pak se 2/3 e votave qysh kërkohet me ligj. Një vit ma vonë, drejtori jo ligjor, dorëzon padi ndaj meje. E njëjta gjykatë, i jep përparësi padisë së tij, e jo padisë kundër tij që është dorëzu një vit ma herët. Tash, kur t`i vijnë radha me shqyrtu padinë kundër zgjedhjes joligjore të drejtorit të RTK, atij vetëm se i skadon mandati si drejtor (prill 2022). Kështu, ai i merr mbi 75 mijë euro”, tha ai.

Agron Demi ka bërë të ditur gjatë këtij muaji se ka pranuar një padi nga RTK e cila e akuzon për shpifje, dëmtim të imazhit si dhe rënie në financim si shkak i një postimi të Demit, i cili ‘rekomandon’ mbylljen e RTK-së.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të RTK-së, por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.