Shpallet i Pafajshëm ish- Kryetari i Obiliqit

Ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi u shpall sot i pafajshëm për keqpërdorim detyre.

Ish- kryetari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi, së bashku me tetë të akuzuarit e tjerë për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, është shpallur i pafajshëm.

NDËRLIDHUR

Në këtë proces gjyqësor Mehmet Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte.

Krasniqin dhe tetë të tjerët të pafajshëm i shpalli gjyqtarja Afërdita Bytyqi.

“Pas seancës për këshillim dhe votim në emër të popullit shpall këtë aktgjykim, të akuzuarit Mehmet Krasniqi, Xhavit Krasniqi, Haki Raqi, Nazmi Gashi, Bajram Paloji, Ramadan Hashani, Hasie Dushi, Azem Spanca dhe Altin Preniqi, lirohen nga aktakuza, pra për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Bytyqi.

Ndërkaq pesë të akuzuarit tjerë u dënuan me kusht.

Ndërkaq, Emri Sopjani, Sami Kadriu, Bujar Alidemaj, Shpend Kelmendi dhe Basri Kqiku u shpallën fajtorë për veprën penale mashtrimi.

Avokati mbrojtës, Nikë Shala, tha se klienti i tij Haki Raqi, u lirua nga akuza pasi që me asnjë provë të vetme nuk është provuar fajësia e tij.

“Gjykata Themelore e Departamentit të Krimeve të Rënda ka marrë akktgjykim lirues. E ka aprovuar tezën e mbrojtjes tonë se gjatë seancave të zhvilluara para kësaj gjykate, me asnjë provë të vetme, qoftë formale, materiale, direkte apo indirekte nuk është aprovuar se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat ka qenë i akuzuar”, tha Shala.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohej për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare ngarkoheshin edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzonte Emir Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën dhe Shpend Kelmendin, si dhe përsëri Basri Kqikun, ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

19 Maj 2017 - 21:30

Arita Gërxhaliu 19/05/2017 - 21:30
NDËRVEPRIMI0