Reshitaj: Janë Harxhuar Para Koti në Projekte të Dështuara

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj u përplas me përfaqësuesin e KOSID lidhur me projektin e Ministrisë për identifikimin e ndotësve të ajrit në Kosovë.

Visar Azemi nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm tha se projekti trevjeçar është humbje kohe dhe po harxhohen para.

Lidhur me këtë, Reshitaj reagoi duke thënë se në të kaluarën janë harxhuar para në projekte ‘koti’, ndërsa ky projekt sipas saj është më se i nevojshëm.

“Ne të gjithë po flasim, qoftë pjesa politike, qoftë pjesa e ekspertëve të Kosovës… dhe të gjithë po paragjykojmë se kush dhe sa përqind kemi ndotje nga ekonomitë, përdorimi i thëngjillit etj… Edhe Banka Botërore po e bën një hulumtim të ngjashëm. Ne kemi shpenzuar shumë para koti në projekte  që kanë dështuar. Unë e konsideroj shumë të rëndësishme që ne në Kosovë duhet të mësohemi të bazohemi në fakte”, tha Reshitaj.

Në anën tjetër sipas Azemit  “është e pamundur mos ti dijë Ministria të dhënat lidhur me ndotësit e ajrit në Kosovë”.

Përballë Jeta Xharrës për këtë temë debatojnë Nezakete Hakaj ,Shefe e Divizioni të Ndotjes Industriale në MMPH  dhe Shimizu Masuto  nga Organizata Zhvillimore JICA.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: