Qeveria Shet Letra me Vlerë prej 20 Milionë Eurosh

Ministria e Financave (MF) në faqen zyrtare të saj ka njoftuar se ka mbajtur ankandin publik për ofertimin e obligacioneve qeveritare në vlerë 20 milionë euro.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin KV014-16, ku u ofertuan Obligacione Qeveritare 5-vjeçare në vlerë nominale prej 20 milion eurove, me qëllim përkrahjen buxhetore,” thuhet në njoftim e MF-së.

Sipas njoftimit, norma e interesit në këtë ankand paraqet dallim të madh në krahasim me të kaluarin.

“Në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 41.89 milionë euro, kurse ne pranuam vetëm shumën e shpallur paraprakisht e që është 20 milion euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 1.46% vjetore, gjë që paraqet një dallim relativisht të lartë prej -2.05 pikësh përqindjeje krahasuar me normën e interesit të ankandit të fundit të obligacioneve 5-vjeçare, e cila ishte 3.51%,” tregohet në njoftim.

Blerësit kryesorë të letrave me vlerë janë bankat me 19.83 milionë euro, ndërsa fondet pensionale blenë  0.11 milionë euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës nga kjo shitje planifikon të realizojë të hyra buxhetore 19,945,962.15 euro.