Universiteti i Gjilanit "Kadri Zeka".

Qeveria i Ndan Mbi 7 hektarë për Kampusin e Universitetit të Gjilanit

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme e ka ndarë një parcelë prej 7.3 hektarë për ndërtimin e kampusit të ri për Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

Sipas qeverisë, parcela e ndarë është në përputhje me Planin Rregullues Urban të miratuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit në vitin 2013.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili vjen nga rajoni i Gjilanit, e përshëndeti këtë vendim të qeverisë duke vlerësuar se ekzekutivi kosovar “sërish ka kthyer vëmendjen kah Gjilani”.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë kemi marrë vendim që të ndajmë parcelën për ndërtimin e kampusit të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”. Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Gjilanit dhe të gjithë Anamoravës sepse tani më në fund studentët e kësaj ane do të kenë mundësinë që të studiojnë në një kampus dinjitoz”, tha ministri Hasani në një postim në Facebook.

Ai falënderoi kolegun e tij nga e njëjta parti, NISMA, Shyqiri Bytyqi, duke shprehur zotimin e tij që ndërtimi i këtij kampusi të fillojë vitin e ardhshëm.

“Si pjesë e kësaj Qeverie zotohem se Gjilani më nuk do të mbetet një rajon i harruar dhe izoluar nga investimet e mëdha e strategjike”, tha ministri Bajram Hasani.