Ish-ministri Hasani dhe deputetja Reshitaj pritet të dëshmojnë në gjykimin për 53 milionëshin

Gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre të tjerëve, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri në rastin e 53-milionëshit pritet të vazhdoj edhe sot në Gjykatën e Prishtinës.

Të njëjtit do të ballafaqohen me dëshminë e dëshmitarëve të cilët janë të ftuar nga prokuroria speciale.

Në cilësinë e dëshmitarëve sot priten të dëgjohet deputetja e kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Albena Reshitaj dhe ish ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

Javën e kaluar në këtë rast dëshmoi drejtuesi i Njësisë për Implementimin e Projekteve(NJIP), Ramë Qupeva.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.