VIDEO - Çka do të sjellë vendimi i qeverisë për t’i shpallur terroriste ‘Brigadën e Veriut’ dhe ‘Mbrojtjen Civile’?

Gazetari Branislav Kërstiq që punon kryesisht në pjesën veriore të Kosovës në një intervistë dhënë për KALLXO.com ka komentuar vendimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e si organizata terroriste “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”.

Sipas tij, ekziston rreziku se ky vendim do të sjellë destabilizim në 4 qytetet veriore të Kosvoës.

“Me këtë vendim, shteti ynë është duke instaluar aparatin policor në veri të vendit edhe më duket se do të kemi një situatë e cila na paralajmëron që ata njerëz të largohen nga Kosova ose do të kemi një periudhë kur do të kemi arrestime”- tha Krstiq.

“Për ata persona që kanë qenë dhe kanë pasur lidhje me të ashtuquajturën “Mbrojtja Civile”. Ne e dimë që ka njerëz të armatosur në veriun e vendit, kush ka toleru armatosjen e atyre pjesëtarëve, më duket mua se edhe forcat ndërkombëtare edhe njësitë speciale të shtetit të Kosovës, pse nuk e di”- shtoi ai.

Sipas Kërstiq, vendimi për shpalljen si organizata terroriste për “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile” erdhi në një kohë kur BE dhe ShBA-të po kërkojnë që situata në veri të qetësohet.

“Në momentin kur grupet e interesit euroatlantike insistojnë për de-eskalim të situatës në veri, ne kemi qeverinë tonë që po sillet me vendime të njëanshme që do të thotë, ky vendim më duket mua do të destabilizoj veriun e shtetit, në momentin kur ai diktatori i Beogradit më duket ka heq dorë nga vendimet destabilzuese për veriun e vendit”- tha Krstiq.

Ai ka folur edhe për arrestimet që janë bërë së fundit të disa personave të dyshuarit për krime në pjesën veriore të vendit

“Shumica nga ta kanë përdorur dhunë ndaj forcave ndërkombëtare apo vendore, por në qoftë se flasim për kriminelët, shteti është në atë pikë zero, jam duke e ditë sepse jam brenda këtij komuniteti”- tha ai.

Kërstiq thotë se në rastet kur ka armatosje ilegale, shteti duhet të veproj siç ka vepruar sot, por vendimi zyrtar në këtë kohë, sipas tij nuk është i domosdoshëm.

“Për “Brigadën e Veriut” kemi akuzat dhe dyshimet shumë serioze, ata në atë mënyrë janë terroriste që kanë bërë ato reklamat nëpër rrugët dhe muret e shtetit të Kosovës, në veri të vendit, që do të thotë janë një lloj propagande, ne jemi këtu dhe jemi tu prit, edhe në fund ku janë ata? Asnjë reagim. Më duket se ajo është diçka që na kthen prapë në fillim, që kryeministri ynë më duket nuk pranon që problemi i veriut të vendit është problem politik”- tha ai.

Gazetari serb, foli edhe për incidentet që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të grupeve që sot u shpallën organizata terroriste.

“Ne e dimë që edhe nëse kanë bërë disa aksidente, ata në mënyrë serioze e kanë sulmuar veturat dhe pronat e pjesëtarëve të policisë së Kosovës, por nuk kemi pasur gjuajte në drejtim të policëve tanë, që do të thotë, ekziston mundësia që edhe qeveria e cila është serioze nuk do të pres momentin kur dikush niset me qëllu pjesëtarët e policisë. Por më duket se me këtë vendim sot, kemi shkuar në një rrugë në të cilën edhe sipas pjesëtarëve të komunitetit serb dhe si banorë në veri të vendit, do të kemi një situatë në të cilën do të kemi arrestime” – tha Kërstiq.

Kabineti qeveritar sot ka marrë vendim që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale Mbrojtja Civile dhe komponenta e saj Brigada e Veriut, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

“Për këtë nisur nga fakti që kërcënimi ndaj rendit kushtetues është i pakompromis e duke u pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, sulmi ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politik, thirrje për rezistencë dhe mos bindje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm përmes zjarrvënies ndaj pronave, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta e barrikada, organizimi dhe pengimi i vendimeve të institucioneve të rendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe të misioneve në Kosovë, kanosje dhe frikësim, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor”- ka deklaruar Kurti.

Për këto dy organizata që funksionojnë në veri Kosovës, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, pati thënë se do të kërkoj që të shpallen terroriste.

Emblema dhe shenja të organizatës “Brigada e Veriut” u gjetën dhe u konfiskuan gjatë kësaj jave brenda një veture me targa të Beogradit në të cilën u gjet edhe një sasi e madhe e armatimit dhe municionit.