Pamje nga brenda e Qendrës Korrektuese në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Presidenti Fali Personin që Vodhi Ndërmarrjen Shoqërore

Sipas dekretit të presidentit, këtij personi i janë falur hiç më pak se 5 muaj burg.

Ali Rugova është në mesin e 4 personave që u është falur e gjithë pjesa e mbetur e dënimit.

KALLXO.com ka siguruar akuzën e Prokurorisë në Gjakovë që rëndonte mbi të falurin Rugova. Ai akuzohej për vjedhjen e një kablloje elektrike rreth 200 metra të gjatë.

Këtë veprim i faluri Rugova e kishte kryer në bashkëpunim me Melaim Bajramin dhe një të mitur me inicialet E.I.

“…Ali Rugova e Melaim Bajrami në bashkëveprim me të miturin E.I. kanë hyrë në hallën e objektit të fabrikës “Jatex” duke depërtuar brenda nëpërmjet tearases prej ku me ndihmën e skallperit dhe danave kanë zhveshur kabllon elektrike rreth 200m duke këputur në sasi të konsideruar”, thuhet në aktakuzë.

E njëjta shpjegon se kabllot ishin fshehur në shtëpinë e Rugovës nga ku më pas ishin shitur për hekurishte.

Aktakuza shpjegon se nga kjo vjedhje ndërmarrja “Jatex” ishte dëmtuar në vlerë prej 400 eurosh.

KALLXO.com mëson se për këtë vepër Gjykata Themelore e Gjakovës i kishte shqiptuar dënim me gjobë në vlerë prej 600 euro secilit.

Ndryshimin e aktgjykimit nga dënimi me kusht në burgim efektiv e kishte bërë shkalla e dytë në bazë të ankesës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Sipas dosjes së lëndës, Rugova ishte i dënuar me 1 vit e një muaj burgim, ndërsa presidenti i fali 5 muaj burgim.

Dje, “Gazeta Jeta në Kosovë“ publikoi historinë kriminale të 12 të burgosurve që përfituan nga dekreti për falje i presidentit Thaçi.

Historia Kriminale e Personave të Falur nga Presidenti

Po ashtu, KALLXO.com publikoi listën e të dënuarve që përfituan nga dekretit i presidentit.

http://kallxo.com/kjo-eshte-lista-e-te-burgosurve-qe-fali-presidenti/