Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Policia nuk Sjell në Gjykatë të Akuzuarin për Vrasje në Tentativë

Seanca e parashikuar të mbahej sot ndaj Leotrim Krasniqit, Gëzim Ibishit dhe Dritmir Ahmetit të akuzuar për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë është shtyrë.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini ka shtyrë gjykimin për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, prokurores dhe avokatëve mbrojtës të të akuzuarve.

Në fakt, për të siguruar prezencën e të akuzuarit Leotrim Krasniqi, gjykata kishte nxjerrë urdhër për sjellje me detyrim të tij në gjykatë.

Por gjyqtarja Suzana Çerkini tregoi se gjykata nuk e di pse policia nuk e ka sjellë të akuzuarin.

“Gjykata nuk ka pranuar asnjë njoftim, qoftë me gojë apo me shkrim, se pse policia nuk e ka zbatu urdhrin e gjykatës”, tha Çerkini.

Ndërkaq, prokurorja Besa Limani mungoi për arsye familjare, të cilat i janë bërë me dije gjykatës nga prokurori Kushtrim Munishi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Besa Limani, Leotrim Krasniqi akuzohet për kryerje të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë dhe arëmbajtje pa leje.

Leotrim Krasniqi akuzohet se me dashje që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Remzi Beqiri, ka shtënë me armë automatike të panjohur në drejtim të veturës në të cilin kanë qenë të dëmtuarit Remzi Beqiri dhe Qëndrim Sadiku.

Vepra ka mbetur në tentativë, ngase plumbat nuk kanë qëlluar të dëmtuarit, por gomat dhe xhamat e dyerve të para të veturës.

Ndërkaq, Gëzim Ibishi dhe Dritmir Ahmeti akuzohen se së bashku kanë kryer veprën penale “moslajmërim i përgatitjes së veprave penale”.

I akuzuar më herët ka qenë edhe Sokol Neziri, por procedura gjyqësore ndaj tij është veçuar më 12 prill 2017 për shkak se i akuzuari gjendet në arrati.

Seanca do të zhvillohet më 11 dhjetor 2017.