Autostrada "Ibrahim Rugova" - Foto: Ministria e Infrastrukturës

Policia Ndalon Garën e Shpejtësisë në Autostradë

Policia ka arritur dje që me kohë dhe para mbajtjes së saj ta parandalojë një garë me makina në pjesën e Autostradës “Ibrahim Rugova” nga Mazgiti drejt Besisë.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

“Më datën 24. 02.2017 rreth orës 17 e 20 minuta është pranuar informatë se në autostradë Trud-Mazgit dyshohet se do të ketë gara shpejtësie”, tha kjo zyrë.

Policia arriti të identifikojë pjesëmarrësit e një gare të tillë që po përgatitej.

“Rastit i janë përgjigjur tri patrulla policore të cilat në vendin e ngjarjes kanë arritur të identifikojnë shumë pjesëmarrës në cilësinë ë shikuesve që prisnin për shikim të garës” sqaroi Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Kjo zyrë tregoi edhe veprimet tjera të policisë pas parandalimit të garës.

“Njësitë policore u kanë marrë dokumentacionin [pjesëmarrësvë] dhe i kanë shoqëruar në stacion policor. Të njëjtëve u janë marrë deklaratat dhe u është bërë fotokopjimi i dokumentacionit dhe nga një foto e vozitësve” brin të ditur Zyra për Informim e policisë.

Policia njoftoi se gara është ndaluar, ndërsa dëshmitë e mbledhura do të shfrytëzohen kundër organizatorit.