Policia suedeze - Foto: Rtv21

Plagosja e Ariana Haradinajt, në Kënd Dyshon Policia Suedeze

Shefi i policisë në Helsingborg, Sven Holgersson, ka thënë se në gjashtë muajt e fundit në këtë qytet ka pasur shpërthime, të cilat ai i ka lidhur me krim të organizuar.

Në një deklaratë për gazetën suedeze “Aftonbladet”, Holgersson, ka thënë se sulmet janë të lidhura me drogë.

“Për mendimin tim krejt këto kanë të bëjnë me drogë, ekonomi dhe armë”, ka thënë Holgersson.

Kjo deklaratë e tij është publikuar pak orë pasi ndodhi një shpërthim në hyrje të një ndërtese, nga i cili ka mbetur e plagosur vajza e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

“Aftonbladet” raporton se në shtator një person ka vdekur si pasojë e një shpërthimi nga i cili mori flakë apartamenti i tij.

Në muajin tetor, sipas kësaj gazete, një shpërthim kishte ndodhur në hyrje të stacionit policor.

Në mëngjesin e djeshëm, më 2 janar 2018 në ora 00:58, në qytetin suedez Helsingborg ndodhi një shpërthim i madh i eksplozivit që ishte vendosur para derës së banesës së vajzës së veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Nasim Haradinajt, bejnë të ditur mediat suedeze.

Nga shpërthimi i fuqishëm u plagos Ariana Haradinaj, e cila punon si infermiere në këtë qytet dhe është duke u përgatitur që të fillojë studimet në Suedi.

Pas trajtimit të plagëve në spital, policia suedeze e ka strehuar Arianën në një vend të sigurt. /21Media