Pika Kufitare në Merdar| Foto: KALLXO.com

Paraburgim për të arrestuarin për drogë në kufirin Kosovë- Serbi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Q.N, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge..

Në komunikatën e Gjykatës thuhet se të pandehurit Q.N i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej 18.05.2018 deri më 18.06.2018.

I pandehuri Q.N dyshohet se më 18.05.2018, në rrugën magjistrale Prishtinë – Merdar, në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi, pa autorizim ka transportuar substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, substanca psikotropike apo substanca analoge me qëllim të shpërndarjes, shitjes, ose ofrimit për shitje.

Gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – Sektori Qendror për hetimin e narkotikëve e kanë ndalur autobusin dhe gjatë kontrollimit të autobusit është gjetur një valixhe e të pandehurit, Q.N, në të cilën  kishte 16 paketime të substancës narkotike, të llojit marihuanë, ku secili paketim kishte peshë rreth 520 gramë, të cilat substanca janë konfiskuar nga Njësia e Forenzikës,  të  Stacionit Policor Podujevë.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Q.N është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, thuhjet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.