OJQ-të kërkojnë qasje në pronën komunale | Foto: KALLXO.com

OJQ-të Propozojnë Mundësi të Qasjes në Prona Komunale

Një rrjet organizatash me një deklaratë të përbashkët kanë kërkuar qasje të OJQ-ve në pronat komunale.

Deklarata e përbashkët gjer më tani është nënshkruar nga 51 organizata.

Në këtë deklaratë thuhet se me ligjin aktual vetëm bizneset e gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të pronave komunale.

“Ligji i tanishëm përcakton paraqitjen e ‘ofertës me çmimin më të lartë’ si kriter kryesor për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës. Ky kriter i favorizon bizneset dhe i diskualifikon subjektet jofitimprurëse nga procesi” shkruhet në deklaratë.

Ndërsa në një konferencë të mbajtur sot nga organizatat “Anibar” dhe “Rritu”, u tha se kërkesat i janë dërguar edhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Vullnet Sanaja nga “Anibar” tregoi se Ligji për Dhënien në Shfrytëzim të Pronave Komunale është duke u ndryshuar këtë muaj.

“Fillimisht rekomandimet i janë dërguar grupit punues të MAPL-së me datën 2 nëntor, ndërkaq me datën 13 dhjetor i kemi përsëritur kërkesat tona për ndryshimin e ligjit”, tha Sanaja.

Ndërsa, Rina Kika nga OJQ-ja “Rritu”, tha se në MAPL është propozuar një proces i veçantë për subjekte jofitimprurëse, zbatimi i përshtatur i dispozitave që vlejnë për subjektet fitimprurëse dhe destinimi i 20% të pronave komunale për subjektet jofitimprurëse.

Ajo kërkoi që nisma për përfitim të pronave komunale nga OJQ-të të mbështetet prej tyre.

“Ne kemi marrë ftesë zyrtare nga MAPL-ja për diskutimin e mundësisë së aprovimit të kërkesave tona. Shfrytëzoj rastin që t’i ftojmë të gjithë qytetarët dhe organizatat që të bëhen të zëshme në këtë proces dhe që të lobojmë së bashku në krijimin e mundësive për zhvillimin e aktiviteteve në të mirë të interesit publik” tha Kika.