Foto: KALLXO.com

Pas 5 viteve nga miratimi i Ligjit, nis zbatimi për regjistrimin e ndërmarrjeve sociale

Pas pesë vitesh nga miratimi i Ligjit për ndërmarrje sociale, sot u dha lajmi për fillimin e zbatimit – regjistrimin e këtyre ndërmarrjeve. Kjo nismë mundëson gjithëpërfshirjen e grupeve të cenueshme në punësim dhe rritjen e mirëqenies së tyre.

Deri më tani, në Kosovë bizneset dhe organizatat joqeveritare që kanë nën llupë përfshirjen e grupeve të cenueshme, nuk kanë arritur që të regjistrohen si ndërmarrje sociale për shkak të ngecjes së dispozitave ligjore. Nga tash, këto grupe mund të regjistrojnë ndërmarrjet e tyre si sociale.

Kryeministri Albin Kurti, i cili dha lajmin për lansimin, gjatë një takimi me bizneset dhe organizata jo-qeveritare, tha që përmes zbatimit të këtij ligji për herë të parë do të lehtësohet punësimi për personat e cenuar dhe përmes saj zhvillohet barazia sociale.

“Me këtë [lansim] sigurojmë shpërndarjen e të hyrave te grupet e cenuara dhe do rritet punësimi i grupeve të cenueshme”- tha Kurti.

Sipas tij, me këtë zbatim “bëhemi [shteti] aksionar pa interes sidomos kur është punësimi në fokus”.

Sipas Ligjit deri në 30% e fitimit mund të përdoret për pagesën për punonjësit e ndërmarrjes sociale në formë të pagave apo mëditjeve; dhe se fitimet do të mund të përdoren për të zhvilluar më tutje aktivitetet e ndërmarrjes apo për të rritur kapitalin e saj.

“Qëllimi është që përmes biznesve dhe organizatave joqeveritare t’i ushqejmë ndërmarrjet sociale në Kosovë”- shtoi Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha që përmes kësaj mundësie, nëse biznesi ose organizata ka të punësuar të paktën 30% të punësuarve grupe të cenueshme, atëherë do mund të marrë certifikatën e ndërmarrjes sociale dhe mund të aplikojnë që të marrin statusin.

Ndryshe nga bizneset, Murati tha që ndërmarrjet sociale nuk kanë për qëllim maksimalizimin e të hyrave, por shpërndarjen e tyre te personat e cenueshëm.

“Ndërmarrjet sociale lirohen nga tatimi”- tha Murati.

Për kualifikim në ndërmarrje sociale, OJQ-të dhe bizneset duhet të ofrojnë shërbime sociale. Organizata të tilla janë ndërmarrja “Krusha”, “Medica Gjakova” që kanë për qëllim ndërtimin e një baze punësimi për të mbijetuarit e luftës së fundit, apo të tjera që kanë qëllim ngritjen e cilësisë së jetës së fëmijëve me sindromin Down, lehtësimin e jetës së grave në zona rurale, etj.

Ligji për Ndërmarrjet Sociale, rregullon organizimin, funksionimin, parimet, mënyrën e fitimit dhe humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale, si dhe përcakton kushtet e kriteret që një subjekt duhet t’i plotësojë që të fitojë statusin e ndërmarrjes sociale.

Andi Batusha, kryesues i Komisionit për Ndërmarrjeve Sociale informoi që marrja e statusit ndahet në dy faza: Regjistrimi në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK dhe faza e dytë me përgatitja e dokumentacionit.

Sipas Batushës të interesuarit duhet të dorëzojnë planin e biznesit social dhe dokumentacionin për aplikim.

“Me këto dyja vini tek ne fizikisht dhe ne si komision mbledhemi njëherë në muaj që të japim pëlqim ose jo”- tha Batusha, duke shtuar që Komisioni bën monitorimin me zyrtarë tjerë.

Ndërmarrje sociale ka për qëllim angazhim shoqëror, sigurimit të mallrave dhe shërbimeve sociale për personat qoftë me aftësi të veçanta, të mbijetuarit e luftës, komunitetet joshumicë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2018 ka miratuar Ligjin për Ndërmarrjet Sociale, i cili ka hyrë në fuqi gjatë muajit dhjetor 2018.