Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Nuk Mbahet Seanca e Ryshfetit për Punësim në Postën e Kosovës

Mungesa e dy të akuzuarve Agim Zeqiri dhe Zyhdi Hajzeri e detyroi kryetarin e trupit gjykues Shashivar Hoti që të shtynte seancën e gjykimit për dhënie ryshfeti për punësim në Postën e Kosovës.

“Nëse në  seancën e radhës të akuzuarit nuk do të jenë të  pranishëm, do të  detyrohemi t’i sjellim në  gjykatë me dhunë  dhe të merren masa ndaj tyre”, tha Hoti.

Seanca ishte shtyrë edhe më 31 janar, kur mungoi i akuzuari Gëzim Curri.

I akuzuari i parë i këtij rasti është Gazmend Isufi, që kishte ardhur në  gjykatë.

Ai ngarkohet me akuzën që  si drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në periudhën 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve  në Postën e Kosovës.

Sipas akteakuzës Isufi ka kërkuar dhe pranuar nga Agim Zeqiri shumën e të hollave prej 5 mijë eurove me qëllim që t’i punësonte të afërmin e tij Rizah Vokrrin në Postën e Kosovës.

Aktakuza Isufin gjithashtu e ngarkon se ka marrë shumën prej 2000 eurove nga Zyhdi Hajzeri për  punësimin e dhëndrit të tij Gëzim Curri gjithashtu në Postën e Kosovës.

Të akuzuarit tjerë në  këtë  rast janë edhe Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuçi, të cilët nga prokuroria akuzohen për dhënie të ryshfetit.