Kuvendi Zgjedhor i Nismës | Foto: KALLXO.com

Nisma Nis Kuvendin Zgjedhor

Ai ishte kandidati i vetëm për ta drejtuar këtë parti, ndërsa në votim morën pjesë 520 delegatë.

Pro Limajt votuan 502 prej tyre, 15 ishin kundër, ndërsa 3 fletëvotime ishin të pavlefshme.

12:21

Janë duke u numëruar votat e Limajt për kryetar të Nismës.

Delegatët e Nismës përfunduan votimin për zgjedhjen e kryetarit, ndërsa sapo ka filluar numërimi i votave nga komisioni zgjedhor i këtij subjekti.

Kandidati i vetëm për ta drejtuar këtë parti është kryetari aktual i saj Fatmir Limaj.

nisma 1

11:21

Nisma për Kosovën po mban sot në Prishtinë kuvendin e saj zgjedhor. Sipas zyrtarëve të kësaj partie në këtë kuvend zgjedhor janë të pranishëm 500 delegatë.

Është zgjedhur kuvendi dhe kryesia e punës, ndërsa para se të votohet për kryetarin e kësaj partie, delegatëve u është drejtuar sekretari i Nismës Bilall Sherifi.

Sherifi ka folur për historinë e Nismës që nga shkurti i vitit 2014 kur ajo nisi si iniciativë e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit, dy të pakënaqurve me zhvillimet në PDK, për t’u kthyer në parti më shumë se dy vjet më pas.

Gjatë fjalës së tij, Sherifi tha se pa drejtuesit e Nismës nuk do të kishte asgjë në Kosovë.

“Pa rolin kyç të Nismës, pa rolin e  Limajt e Krasniqit, në Kosovë nuk do të kishte as VLAN, as VAN, as opozitë të bashkuar, e bash kurrgjë në Kosovë,” tha Sherifi.

Sherifi foli edhe për përçarjen opozitare.

“Në takimin e Gllogjanit, përfaqësuesit e ‘Vetëvendosjes’ u shprehën në mënyrë që nuk mund ta besonim askush. Ata donin që të veprojmë sipas diktimit të tyre, e një gjë e tillë nuk mund të ndodhte,” tha ai.

Në këtë kuvend zgjedhor pritet të zgjidhet kryetari i Nismës, ndërsa do të bëhet edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Nismës, si dhe do të diskutohet edhe për programin dhe statusin e partisë.

Kandidat për kryetar është Fatmir Limaj, ndërsa tash ka filluar votimi për të.

Kryetari i zgjedhur do të ketë mandat katërvjeçar.