Isa Mustafa, Kryetar i LDK

Mustafa: Po Arrijmë Rezultate pa Zhurmë

Në një postim në Facebook, Kryeministri Mustafa shkroi për tri organizata ndërkombëtare që tha se po e lavdërojnë qeverisjen e Kosovës.

“Janë tre organizata më kredibile ndërkombëtare që e lavdërojnë Kosovën dhe qeverisjen e saj: Freedom House (SHBA), Banka Botërore dhe Tubimi më i madh botëror i bizneseve”, shkroi Mustafa.

Ai tha se Qeveria e Kosovës u vlerësua më e mira në Evropën Juglindore për mbështetje të ndërmarrësisë.

“Gjatë këtij viti, 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e asociacioneve të biznesit nga e gjithë bota, i akorduan Kosovës çmimin për ‘Qeverinë më të mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë’”, vijoi postimi i Mustafës.

Mustafa më tutje shtroi pyetjen “se kujt po i pengon progresi i jashtëzakonshëm i Kosovës gjatë dy viteve të fundit dhe posaçërisht lufta kundër korrupsionit dhe tenderomanisë ?!”

Në prill të vitit 2015 Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar se djemtë e Isa Mustafës fituan një tender për servisimin e automjeteve të Zyrës së Kryeministrit, në kohën kur babai i tyre drejtonte qeverinë.

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

Mustafa konstatoi se rezultatet e qeverisë së tij nuk po arrihen me zhurmë.

“Këto rezultate u arritën me punë dhe jo me zhurmë e propagandë e as me fushata. Ato figurojnë në raportet e institucioneve botërore. Nuk shlyhen!”

Ai përmendi edhe raportin e Bankës Botërore që tregon se Kosova pati rritje më të lartë ekonomike në krahasim me vendet tjera të rajonit në vitin 2016.

“Banka Botërore konfirmoi se rritja ekonomike në Kosovë më 2016 ishte më e larta në Ballkanin Perëndimor dhe se ka kontribuar konsiderueshëm në krijimin e vendeve produktive të punës”, shkroi Mustafa.

Banka Botërore kishte konstatuar se Kosova vjet kishte rritje ekonomike prej 3.6 për qind.

http://kallxo.com/rritja-ekonomike-ne-saje-te-konsumit-dhe-investimeve/

Në mars të këtij viti Kryeministri Mustafa kishte thënë se rritja ekonomike në vitin 2016 pritet të jetë mbi 4 për qind.