Kryeministri Isa Mustafa I Foto: Facebook

Mustafa Kundër Zgjedhjeve të Parakohshme

Kryeministri Isa Mustafa përmes një postimi në “Facebook” ka kritikuar “subjekte dhe institucione të caktuara” të cilat, sipas tij, janë bërë rob i sondazheve, duke i harruar zotimet dhe përgjegjësitë e tyre para qytetarëve.

Ai ka kujtuar zotimet e programit qeverisës për zhvillim më të shpejtë ekonomik, rritje të punësimit, fillimin e projektit të Kosovës C prej një miliard euro, transformimin e FSK-së në ushtri…

“Dhe tani, thua se po e harrojmë ushtrinë, po i harrojmë investimet e mëdha po e rrezikojmë liberalizimin, dhe po kërkojmë shkas, qoftë me mocion qoftë në mënyra tjera për të shkuar në zgjedhje”, ka shtuar kryeministri në profilin e tij në “Facebook”.

“Është paradoksale të thuhet se të gjithë jemi gatitur për të bërë ushtrinë dhe në të njëjtën kohë të organizohet peticion për të lënë anash këtë zotim e për të shkuar në zgjedhje të reja”, ka shkruar ai.

Më tej, Mustafa thekson se rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve. “Sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta çojmë deri në fund, ndërsa sondazhet i bëjmë kur të përmbyllim punët dhe kur u vjen koha e zgjedhjeve të rregullta”, ka shkruar ai.

“E di që është më vështirë të punohet dhe të përmbushen zotimet para qytetarëve sesa të mbahen zgjedhje, por si Kryeministër nuk u trembem sfidave dhe përmbushjes së zotimeve, siç jemi pajtuar me këtë koalicion qeverisës”, ka shkruar kryeministri.

Po ashtu, ai ka shfaqur shpresën se as Kuvendi dhe deputetët e Kuvendit nuk do të dorëzohen para kauzave, sipas tij, të rrejshme për demarkacionin, “sepse e vërteta gjithherë del në shesh”.

Javë më parë, deputetë opozitarë kanë nisur një proces të mbledhjes së nënshkrimeve për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.