Ministria Inicon Përgjegjësi Disiplinore për Gjyqtarët dhe Prokurorët

Projektligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, do të ndikojë në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Këto komente, Ministrja e Drejtësisë i bëri në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë e ku morën pjesë edhe zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, ambasadori amerikan Greg Delawie, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova si dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Në koordinim dhe konsultim me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, dhe me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar, kemi hartuar draftin e Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, sipas të cilit Zyra për Përgjegjësi Disiplinore parashihet të jetë si organ i pavarur i administratës shtetërore nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që të sigurohet funksionimi dhe efikasiteti i saj në mënyrë të pavarur” tha Ministrja Hoxha.

Hoxha tha se më tej se kjo i ndihmon procesit të balancimit të pushteteve veçmas sa i përket kësaj çështje të hetimit dhe vendimmarrjes për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ministria e Drejtësisë dhe unë si Ministre jemi thellësisht të përkushtuar që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive si dhe krahas kësaj të ngritët niveli i performancës së institucioneve të drejtësisë, dhe krahas kësaj edhe ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies si çështje kyçe të cilat do të ndikojnë edhe në rikthimin e besimit të qytetarëve tanë në institucionet e drejtësisë” theksoi Ministrja Hoxha.

Sistemi i disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve krahas çështjeve të tjera që janë ndryshuar së fundmi, siç është buxheti, vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe çështje të tjera janë në funksion të kësaj. Në këtë drejtim, çështja e disiplinimit të gjyqtarëve përkatësisht prokurorëve dhe veçmas hetimi për shkelje disiplinore është njëra nga çështjet e rëndësishme.