Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë Blen Serum me Procedurë të Shkurtuar

Pasi është anuluar tenderi për furnizim me serum kundër helmimit nga kafshimi nga gjarpinjtë, Ministria e Shëndetësisë planifikon të blejë me procedurë të përshpejtuar këtë lloj serumi.

“MSh do të blejë gjatë kësaj jave me procedura të shkurtuara 50 serume kundër kafshimit të gjarprit dhe 40 të tjera do t’i marrë si donacion”, njofton Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com.

NDËRLIDHUR

Sipas Ministrisë do të jenë gjithsej 90 serume të siguruara.

Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë për të blerë me procedurë të shkurtuar serume vjen pasi që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka njoftuar se është anuluar tenderi me furnizim me serum kundër kafshimit nga gjarpri me arsyen se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

Në përgjigjet dërguar për KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë thekson se Klinika Infektive e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme do të jenë të mbuluara mirë me këtë serum.

“Tre serume janë dërguar dje ndërkaq në Klinikën Infektive dhe të tjerat do të shpërndahen në ditët në vijim”, thuhet në përgjigje.

Vitin e kaluar KALLXO.com ka raportuar se ky serum ka munguar në Klinikën Infektive dhe në disa qendra të tjera spitalore.

Kjo çështje qe trajtuar në nëntor të vitit të kaluar edhe në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Vitin e kaluar edhe drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, kishte shprehur pakënaqësinë e tij rreth furnizimit me këtë serum. Për mediat ai kishte treguar se ka pasur raste kur kanë mbetur me një apo dy serume dhe është dashur të kërkojnë me urgjencë.

Ndërsa, Barnatorja Qendrore e QKUK-së pat thënë për KALLXO.com se është përballur në vazhdimësi me mungesë të produktit “Serum Antiviperinum”.

Sipas tyre ky bar vital-jetëshpëtues është siguruar nga donacionet e ndryshme,  donacione të ofruara nga operatorë ekonomikë dhe spitalet e përgjithshme nga rezervat e fundit.

17 Maj 2017 - 13:25

Paulina Nushi 17/05/2017 - 13:25
NDËRVEPRIMI0

Ministria e Shëndetësisë Blen Serum me Procedurë të Shkurtuar

by Paulina Nushi
NA NDIQNI

Send this to a friend