Mbyllet për Lindje Fëmijësh Materniteti i Klinës

Komuna nuk do t’i lejojë më maternitetit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë që të ofrojë shërbimet e lindjes së fëmijëve.

Materniteti tash do të ofrojë vetëm kontrolle gjinekologjike, ndërsa mbyllja e tij për lindje fëmijësh është bërë për mosplotësim kushtesh.

“Pas gjithë vlerësimeve dhe analizave që janë bërë kemi ardhur në përfundim se materniteti që ka qenë brenda QKMF-së në Komunën e Klinës nuk i plotëson standardet për lindje dhe për funksionim të rregullt të qasjes së pacientëve në të. Andaj jemi detyruar ta kthejmë në shërbim gjinekologjik,” tha për KALLXO.com drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës Bedri Gashi.

Gashi tregoi edhe arsye tjera pse gratë shtatzëna nuk mund të lindin foshnjat e tyre në maternitetin e Klinës.

“Arsyeja numër një ka qenë rrezikshmëria që është paraqitur për shkak të mosplotësimit të standardeve të një materniteti që duhet t’i ketë brenda një QKMF-je. Ka qenë edhe kostoja shumë e lartë që ka sjellë materniteti edhe lindje shumë të pakta që janë bërë këtu,” shpjegoi Gashi.

Skender Merturi, asamblisti i “Vetëvendosjes” në Klinë mbylljen e maternitetit e konsideron dështim të pushtetit lokal.

“Normal nëse do kishte funksionuar në mënyrën e duhur me standarde dhe rregulla do t’ua mundësonte grave të Klinës të lindin këtu dhe të mos shkojnë në Pejë nëpër Gjakovë e Prishtinë, ku janë shpenzimet e mëdha për kushtet e vështira që mbizotërojnë në Komunën e Klinës. Do ishte një lehtësi me e mirë për lindje këtu,” tha Merturi për KALLXO.com.

Spitali Regjional i Pejës  më i afërti ku mund të lindin gratë shtatzëna të Klinës është 30 kilometra larg këtij qyteti.