Nenad Rikalo, ministër i Bujqësisë. Foto: vesti online

Lumezi: Do të Intervistohet Edhe Nenad Rikalo

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, paralajmëroi se organet e hetuesisë do ta intervistojnë ministrin e Bujqësisë në qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, pas akuzave se ai ka qenë i përfshirë në tortura ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1990.

Pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, kreu i Prokurorisë së Shtetit tha se prokuroria është në fazën e mbledhjes së deklaratave nga personat që mund të japin dëshmi për këto dyshime.

“Do ta dëgjojmë së shpejti edhe ministrin në cilësi të personit të dyshuar dhe pas mbledhjes së këtyre informacioneve dhe fakteve lidhur këto çështje, do të dalim me rezultat konkret, do të vendosim a të fillojmë një hetim zyrtar, a ka dyshim të arsyeshëm se është kryer një vepër penale apo janë vetëm thashetheme e qëndrime të personave të cilët kanë dashur që të ndikojnë ndoshta edhe në situatën politike”, tha Lumezi.

Ai shtoi se Prokuroria e Shtetit në bazë të informacioneve që ka marrë nga mediat e ka hapur procedurën penale por ende nuk ka nxjerrë aktvendim zyrtar për fillimin e hetimeve.

“Ne jemi në fazën e dëgjimit të personave që kanë dhënë informacione për ministrin e ri të Bujqësisë. I kemi dëgjuar disa prej tyre, jemi duke mbledhur edhe informacione tjera nga KMDLNj dhe FDH”, tha Lumezi.

Dy javë më parë, banorë shqiptarë të një ndërtese në Prishtinë kanë shprehur pretendimet e tyre se janë torturuar nga Rikalo gjatë atyre viteve, në kohën kur thonin se Rikalo ishte pjesëtar i forcave serbe të sigurisë.

Vetë Rikalo i ka mohuar këto akuza.

Rikalo, një zyrtar i Listës Serbe, është emëruar Ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt e cila u votua të shtunën në Kuvend.

Paraprakisht ai ka përfaqësuar për tri vjet Listën Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

http://kallxo.com/prokuroria-speciale-e-kryeministri-flasin-per-akuzat-ndaj-ministrit-rikalo/