Pamje nga konferenca e lansimit të programit për kompensimin e viktimave të krimit - Foto: KALLXO.com

Lansohet Programi për Kompensimin e Viktimave të Krimit

Kjo është bërë e ditur në konferencën gjatë të cilës u lansua programi për kompensimin e viktimave të krimit.

Realizimi i këtij programi është bërë i mundur falë mbështetjes që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ua ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të tjera të drejtësisë.

Me këtë rast, ministrja Dhurata Hoxha tha se viktimat e krimit së paku duhet të përkrahen moralisht dhe të mos mendojnë se krimi mbizotëroi mbi njerëzoren.

“Si përgjegjës duhet të ndërmarrim masat që t’i mbrojmë viktimat e krimit me të gjitha mjetet institucionale. Ata do ta kenë përkrahjen tonë”, tha ministrja e Drejtësisë, e cila u bëri thirrje të gjithëve që ta ngritin zërin kundër krimit.

“E drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim po fillon, andaj inkurajoj që viktimat për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor t’i drejtohen Komisionit për kompensim të viktimave”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta themelore, të garantuara me Kushtetutë, me ligjet e Republikës së Kosovës, me konventat ndërkombëtare dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti.

Lumezi theksoi se tanimë edhe Kosova është në hap me zhvillimet e reja në BE dhe këtë fushë e ka rregulluar me legjislacion përkatës.

“Ashtu siç jeni në dijeni, legjislacioni i Kosovës parasheh një skemë të kompensimit të viktimave nga shteti, të cilat janë të rregulluara me Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit si dhe me Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit.

Sipas tij, në procesin e hartimit të legjislacionit për mbrojtjen e viktimave ka kontribuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, më konkretisht, në hartimin e Ligjit për kompensim të viktimave të krimit, hartimin e rregullores për Komisionin për kompensimin e viktimave si dhe me caktimin e një anëtari në Komisionin për kompensimin e viktimave nga radhët e prokurorëve të shtetit.

“Sipas Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, autoritet kompetent për kompensimin e viktimave është Komisioni, i cili emërohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë. Ndërsa, financimi i kompensimit të viktimave të krimit sipas të këtij Ligji do të bëhet nga Programi për kompensimin e viktimave të krimit, i cili do të financohet nga buxheti I Republikës së Kosovës”, tha Lumezi.

Sipas tij, programi për kompensimin e viktimave mund të financohet edhe përmes kontributeve vullnetare dhe donacioneve private në pajtim me rregullat e kontrollit dhe menaxhimit financiar.

Tutje kryeprokurori Lumezi ka thënë se të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës gjatë zbatimit të dispozitave për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, janë duke kërkuar nga gjykatat shqiptimin e taksës për kompensimin e viktimave të krimit, të cilat derdhen në llogarinë e Programit për kompensim pranë Ministrisë së Drejtësisë në pajtim me Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit.

“Mbesim me shpresë se edhe institucionet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorët e shtetit, gjyqtarët por edhe Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, gjatë periudhës së ardhshme do të jenë më efikas në identifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Pasuria e konfiskuar duhet t’i kthehet shtetit por edhe të dëmtuarve duke i shitur asetet e konfiskuara dhe kompensuar viktimat e krimit”, ka deklaruar Kryeprokurori i Shtetit.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se të qenit viktimë e krimit jo vetëm që e dëmton integritetin e personit, apo shëndetin fizik, por njëkohësisht dëmton edhe shëndetin shpirtëror dhe emocional të viktimës dhe kjo gjë bëhet edhe më rënduese kur viktimat e krimit humbasin mbështetjen apo përkujdesjen e institucioneve të shtetit.

“Dua të nënvizoj se lansimi i një skeme të kompensimit material të viktimave të krimit përbën përpjekjen e parë institucionale që përmes një instrumenti financiar të kompensohet kjo kategori e cenueshme e shoqërisë. Kjo padyshim që përbën një lajm të mirëpritur jo vetëm për institucionet tona, por edhe për vetë viktimat, për subjektet që kanë pësuar drejtpërdrejt apo tërthorazi nga veprat e krimit”, ka deklaruar ai.

I pranishëm në lansimin e programit ishte edhe Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, i cili ka porositur të pranishmit që institucionet e vendit duhet të angazhohen që çështja e kompensimit të viktimave të krimit të jetë e përfshirë në buxhetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ kishte publikuar rastin e Hajrie Aliut, viktimë e dhunës nga bashkëshorti, të cilën organet e drejtësisë e kishin lënë në rrugë.

http://kallxo.com/e-rrahur-nga-burri-e-lene-pas-dore-nga-drejtesia/