Gjykata Themelore në Prizren

Mbi 19 vite nga vrasja e babait, familja Haziraj pa kompensim, fajin ia hedh Gjykatës së Prizrenit

Nezir Haziraj ka gati dy dekada që endet nëpër dyert e Gjykatave për të kërkuar drejtësi dhe kompensim për vrasjen e babait të tij Qemajl Haziraj e cila kishte ndodhur në vitin 2002.

Për këtë vrasje në vitin 2004, Gjykata e Qarkut në Prizren e kishte dënuar të akuzuarin B. M. me 14 vite burgim, mirëpo një vit më vonë ky dënim ishte rritur nga Gjykata Supreme në 24 vite burgim.

Familja e viktimës ishte udhëzuar që të kërkonte dëmshpërblim në procedurë civile, kërkesë të cilën e kishin paraqitur në vitin 2007.

Më shumë se një dekadë më vonë, Gjykata e Prizrenit vendosi për kompensimin që do t`i takonte familjes Neziri për vrasjen e prindit të tyre. Kjo gjykatë vendosi që në emër të kompensimit të dëmit Nezirit dhe motrës së tij t’i dhuroheshin nga 20 mijë euro.

Aktgjykimi ishte nxjerrë në prill të vitit 2018 nga gjyqtarja Edije Sezairi, e cila e kishte obliguar të paditurin B. M., që të paguante mbi 40 mijë euro si dëmshpërblim ndaj familjes Neziri për vrasjen e familjarit të tyre.

Ndonëse u përballën me zvarritje të shumta gjyqësore, probleme të tjera për familjen Neziri nisën në momentin që tentuan të i marrin paratë që ju caktuan për kompensim pasi ata kuptuan se aktgjykimi nuk u bë i plotfuqishëm edhe pse kishin kaluar 1 vit nga marrja e dënimit.

“Kanë kaluar 3 vite dhe akoma nuk është bërë vendimi i plotfuqishëm për shkak se i padituri është ankuar 1 vit më vonesë. Mua aktgjykimi më ka ardhë me 3 gusht të vitit 2018, ndërsa të paditurit aktgjykimi nuk e dimë kur i ka shkuar”, tha Neziri.

Ai ka dyshime se mos dërgimi me kohë i aktgjykimit tek i padituri është bërë qëllimshëm, pasi gjykata ka qenë në dijeni se ai ka qenë në vuajtje të dënimit.

“Po çuditem se si ka mundësi që pas një viti ai me bo ankesë, kur ligji e parasheh brenda 15 ditëve, fondet janë dashtë me dal, ndërsa po me bëhen që tre vite që lënda nuk po fuqizohet, kam dyshime se kjo është bo qëllimshëm, pasi gjykata e ka ditë ku o kanë i dënuari edhe ka pas mundësi që me kohë me e dërgu aktgjykimin”, deklaroi Neziri.

Ai shtoi se ndjehet i dëmtuar edhe nga sistemi gjyqësor të cilit përpos që iu desh më shumë se një dekadë për të vendosur për të drejtën e tyre, mundësuan edhe paraqitjen e ankesës me 1 vit vonesë.

“Unë ndjehem i dëmtuar edhe nga gjykata për shkak se fillimisht është zvarritur lënda, ndërsa më pas edhe pasi më ka ardh aktgjykimi është zvarritur prapë pasi 1 vit me vonese më është paraqit ankesa e cila do duhej të paraqitej brenda 15 ditëve”, shtoj ai.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com i është drejtuar edhe Gjykatës së Prizrenit për të kuptuar arsyet e paraqitjes së ankesës 1 vit pasi ishte nxjerrë aktgjykimi.

Gjykata e pranon se ankesa është paraqitur një vit më vonë, mirëpo nuk përgjigjet për arsyet e mos dërgimit me kohë të aktgjykimit me arsyetimin se lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit dhe se nuk mund të ofrojnë të dhëna të sakta në mungesë të lëndës.

“Për rastin C.nr. 779/15, seanca e fundit është mbajtur me datë 24.04.2018, andaj edhe në aktgjykim është e shënuar kjo datë, mirëpo gjyqtarja e rastit aktgjykimin me shkrim e ka përfunduar me datë 01.08.2018. Në bazë të verifikimit në regjistrat e Gjykatës, më datë 05.08.2019 pala e paditur ka paraqitur ankesë, dhe që nga data 17.09.2019 lënda është në Gjykatën e Apelit. Andaj ne ju kemi udhëzuar t`i drejtoheni Gjykatës së Apelit, atje ku lënda është në punë, ku mund të ju ofrojnë informacione më të sakta, si; kur e kanë pranuar palët aktgjykimin e shkruar në formë të rregullt, në bazë të së cilës datë rrjedhin afatet për ankesë, për afatshmërinë e ankesës dhe përgjigje tjera në informacionin që ju kërkoni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prizrenit.

KALLXO.com i është drejtuar edhe Gjykatës së Apelit me të njëjtat kërkesa. Sipas përgjigjies së Apelit lënda tashmë është ndarë për gjykim dhe kur të vendoset për të, priret të vendoset edhe për afatshmërinë e paraqitjes së ankesës.

“Nga shkresat e lëndës, rezulton se pala e paditur, ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit C.nr.779/15 të  24.04.2018, më datë 05.08.2019, në Gjykatën Themelore në Prizren për Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Lënda është pranuar në Gjykatën e Apelit më 18.09.2019, dhe është e evidentuar me shifrën  AC.nr.4644/19. Sa i përket vonesës eventuale apo afatshmerisë së ankesës, këtë do ta shqyrtoj kolegji, me rastin e zgjidhjes se kësaj çështje civile”, thuhet në përgjigjen e Apelit.

Krejt në fund, familja e viktimës bëjnë thirrje që për rastin të vendoset sa më parë, për shkak se sipas tyre kanë kaluar shumë vite dhe akoma nuk kanë arritur të marrin të drejtën që ju takon.