Zona kufitare me Malin e Zi | Foto: KALLXO.com

Lajçi: Thaçi Po Bën Presion

Presidenti Thaçi iu drejtua popullit të enjten, ndërsa mes tjerash kërkoi edhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë.

“Çdo vonesë për ratifikim [të demarkacionit] nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës. I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin në Zonën Shengen,” tha Thaçi.

Ali Lajçi, përfaqësues i komunitetit të Rugovës dhe ish-anëtar vëzhgues në Komisionin Shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi, tha për KALLXO.com së udhëheqësit e vendit po bëjnë presion që marrëveshja të ratifikohet sepse po ndihen në panik.

“ Unë besoj se do të ketë një ndërgjegje të lartë te deputetët dhe nuk do lejojnë këtë (presion) dhe do shprehin sovranitet. Sovraniteti shprehet veç në qoftë se nuk ratifikohet  kjo me votë të Kuvendit,” tha Lajçi për KALLXO.com.

Sipas Lajçit votimi kundër demarkacionit nuk e rrezikon Kosovën, por vetëm ata që janë në pushtet.

“ Prandaj nuk duhet me pasë kurrfarë paniku, duhet votohet qetë së jemi shtet i cili varet nga deputetët dhe vota e sovranit. Ata (deputetet ) n’i paçin dy fije mend nuk duhet me votu, sepse asgjë nuk e pengon mosvotimi i këtij demarkimi ecjen e Kosovës, por i pengon këta që janë në pushtet për shkak të korruptimit,” tha Lajçi.

Edhe Rasim Mulaj, përfaqësues i fshatrave të Deçanit përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, tha për KALLXO.com se presioni  i udhëheqësve të shtetit mbi deputetët vetëm po rritet që ta ratifikojnë marrëveshjen.

“Ne nuk pajtohemi me deklaratat e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, ata ndoshta munden ta ratifikojnë se çka s’po bëjnë këta deputetët e sodit, mirëpo le ta dinë që e lejnë ketë popull në konflikt tërë jetën me Mal të Zi,” tha Mulaj.

Më 1 shtator është paraparë që pikë e rendit të ditës në Kuvendin e Republikës së Kosovës të jetë ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Po ashtu këtë ditë subjekti më i madh opozitar Lëvizja “Vetëvendosje” ka thirrur protestë për ta kundërshtuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

http://kallxo.com/vv-ja-proteston-1-shtator/

Edhe dje Presidenti Hashim Thaçi me anë të një postimi në Facebook, bëri thirrje për ratifikim të marrëveshjes së demarkacionit në mënyrë që sipas tij Kosova të mos izolohet nga bota.

http://kallxo.com/thaci-ratifikimi-sjell-liberalizimin-dhe-ushtrine/