Ali Lajçi: Familjet shqiptare po dëbohen nga forcat malazeze si pasojë e demarkacionit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për Demarkacion, Ali Lajçi,  thotë se ka dëshmi për dëbimin e familjeve shqiptare nga forcat malazeze.

Ai ka publikuar disa fotografi ku shihen disa banorë të fshatit Llukë, afër pikës kufitare duke u larguar, pasi sipas tij, janë dëbuar nga forcat malazeze.

Ai ka shkruar se sipas një banori, deri më tash, pesë familje janë dëbuar nga ajo pjesë.

“Pasojat e votimit të versionit të gabuar kufitar me Malin e Zi! Ky version i gabuar, të cilin e votuan deputetët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike, ku humbën mijëra hektarë tokë po sjellë pasojat e veta. Kësisoji ka filluar dëbimi i banorëve të Fshatit Llukë, nga forcat malazeze, fshat i komunës së Deçanit që bjeshkën e kanë afër Kullës së Zhlebit dhe që tatimet i kanë paguar gjithmonë në Komunën e Pejës. (Shih fotografitë e bashkangjitura) Ky dëbim po bëhet në mënyrë graduale e të heshtur, një nga një, në mënyrë shumë përfide, për pastrimin në baza etnike të asaj zone. Banori dëshmitarë Rasim Mulaj, nga fshati Llukë informon se 5 (pesë) familje deri më tash janë dëbuar. Rasimi më pyet se kur do të korrigjohet kjo vijë kufitare? “Zoti i vraft këta tanët jarabi” – kështu i mallkojnë banorët ata që e votuan! Ftoj mediat dhe akterët tjerë që të përcjellin nga afër këtë situatë”, thuhet në publikimin e tij.

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi u miratua në Kuvend në vitin 2018 pas shumë kundërshtimeve dhe protestave nga opozita e atëhershme që thanë se ky demarkacion po i falte tokë të Kosovës Malit të Zi.