Zvarritjet 13 Vjeçare të Termocentralit

Kosova e Re do të ndërtohet në vitin...

Ministrat e Energjisë, Dhjetor 2017

Rrenë e kryptë

Qeveria e re po synon të finalizojë projektin e termocentralit të ri që po hyn në vitin e 13-të nga kur është ideuar.

Vlerësimi: “Qeveria Haradinaj nuk ka përmbushur premtimin për nënshkrimin e marrëveshjeve për Termocentralin “Kosova e Re” brenda 90-ditëve. Por, është paralajmëruar që do ta bëjë me datën 20 dhjetor. Më shumë sesa me Qeverinë Haradinaj, krypometri vlerëson se të gjitha qeveritë, që nga viti 2005, kur është iniciuar ky projekt, nuk u janë përmbajt zotimeve të tyre për këtë projekt. Vetëm fillimi i ndërtimit të projektit është zvarritur plot 13 vjet. Në opsionin më optimist, ndërtimi i termocentralit do të nisë në vitin 2019 dhe punët në ndërtim mund të zgjasin 4 deri në 6 vjet. Pra, Kosova do t’i harxhojë gati dy dekada nga fillimi i projektit deri në lëshim të tij në operim.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj thotë se janë pajtuar me kompaninë amerikane “Contour Global” për marrëveshjet komerciale dhe se me datën 20 dhjetor pritet të nënshkruhen marrëveshjet.

Zyrtarë të AAK-së kishin dhënë premtime që ky projekt do të nisë brenda 90 ditëve të Qeverisë Haradinaj.

Në debatin zgjedhor lidhur me zhvillimin ekonomik në “Jeta në Kosovë”, përfaqësuesi i koalicionit PAN, Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte premtuar se marrëveshja për fillimin e ndërtimit të termocentralit do të bëhej brenda 3 muajve të qeverisjes [ shih Këtu Videon nga min 18:53- 19:10].

“Termoelektrana është projekti i dytë, neve ju sigurojmë që në momentin kur vjen te marrja e qeverisë, më 12 qershor, brenda 90 ditëve do të nënshkruajmë marrëveshjen për ndërtimin e Kosovës C, me investitorin Contour Global, për 90 ditë ju siguroj se kjo marrëveshje do të nënshkruhet dhe do të kemi gurthemelin shumë shpejt. Gjegjësisht brenda 4 vite e gjysmë e parashohim që të ndërtohet termoelektrana në Kosovë”, tha Abrashi në Debat Pernime në qershor.

Koalicioni PAN doli fitues e Ramush Haradinaj u bë Kryeministër i Republikës së Kosovës. Por, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e udhëheq, Valdrin Lluka nga Aleanca Kosova e Re. Me të marrë qeverinë, Haradinaj ka vendosur të udhëheq Komitetin Drejtues të këtij projekti.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në muajin nëntor dha disa afate të tjera për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe përfundimin e ndërtimit të termocentralit.

“Qëllimi jonë është që gjatë këtij viti të nënshkruhet një marrëveshje komerciale për termocentralin. Në momentin e nënshkrimit fillojnë edhe procedurat e tenderimit, në vitin 2019 fillon ndërtimi dhe diku në fund të vitit 2021 në fillim të vitit 2022 përfundon”, tha Lluka.

Historiku i “Kosovës së Re” (Kosova C)

Ideja për një termocentral të tretë, për përmbushjen  e nevojave për furnizim me energji elektrike ishte nisur në vitin 2005.

Atëbotë kur qeveria udhëhiqej nga Bajram Kosumi, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik nga Et’hem Çeku u hartua strategjia e zhvillimit të energjisë që parashihte  ndërtimin e termocentralit të quajtur “Kosova C”. Një vit më pas, më 2006, u hap për herë të parë tenderi për ndërtimin e tij. Projekti fillestar ishte ndërtimi i një termocentrali 2,100 megavatësh, në kuadër të të cilit ishte edhe miniera e qymyrit.

Plani fillestar ishte që ndërtimi të niste në vitin 2008, ndërsa në punë të lëshohej në vitin 2012.

Në fund të vitit 2007, qeverinë e mori PDK-ja dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Ministre e Energjisë dhe e Minierave u bë Justina Shiroka-Pula. Përveç ndërrimit të politikanëve, ndryshime pësoi edhe projekti i ndërtimit të termocentralit. Fillimisht iu ndryshua emri nga “Kosova C” në “Kosova e Re”.  Më pas u ndryshua edhe kapaciteti i termocentralit, nga 2,100 megavatë në vetëm 1,000 megavatë. Më vonë, në mënyrë të heshtur ishte ulur kapaciteti në 600 megavatë.

Në vitin 2009 ish- ministrja e Energjetikës, Justina Shiroka – Pula, pati konfirmuar se ndërtimi i termocentralit pritet të realizohet në vitin 2011.

“Jemi duke realizuar projektin më të madh në Kosovë, Termocentralin “Kosova e Re që së shpejti pritet të finalizohet dhe do të kemi operuesin, i cili do të fillojë të investojë në Kosovë. Por, edhe kjo nuk është për një afat të shkurtër”, pati thënë Shiroka – Pula.

Projekti u zvarrit. Qeveria Thaçi nuk arriti të përmbyllë këtë projekt. Në mandatin e dytë të Thaçit si kryeministër, gjithë energjia ishte e fokusuar në dy projekte tjera të mëdha: Privatizimin e PTK dhe KEDS-it, duke e anashkaluar termocentralin e ri. Privatizimi i KEDS-it u bë, pas shumë mos-pajtimeve dhe kundërshtimeve të opozitës, ndërsa privatizimi i PTK-së nuk u finalizua për shkak të mungesës së një vendimit të Kuvendit të Kosovës.

Projekti “Kosova e Re” ishte në prag të dështimit në kohën kur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik po bëhej ndërrimi i timonierit. U largua Besim Beqaj dhe u bë ministër, Fadil Ismajli.

Ky i fundit e ndryshoi mënyrën e ofertimit, duke e ndarë në dy pjesë. Ishte optimist se ndërtimi do të niste në fillimi të vitit 2015.

“Konsideroj se gjithçka duhet të ndodhë në kohë dhe hapësirë. Gjithçka që ndodh me tepër vonesë mund të mos ketë efektet e njëjta, prandaj do të angazhohemi maksimalisht dhe besoj se do të arrij, ashtu siç është projektuar, në janar të vitit 2015 fituesi apo ndërtuesi i termocentralit ‘Kosova e re’ do të fillojë ndërtimin”, shton Ismajli, siç raporton REL.

Në fund të mandatit të tij, Ismajli kishte vendosur të bëjë ftesën për ofertim për operatorin e vetëm që ishte në garë. I njëjti nuk i ishte përgjigjur kësaj ftese. Qeveria i ishte përshtatur kushteve të kësaj kompanie duke ia zgjatur afatin për të dorëzuar ofertat deri në muajin dhjetor të vitit 2015.

Ismajli e përfundoi mandatin në fund të vitit 2014, ndërsa ende nuk i kishte hapur as ofertën për këtë projekti. As ky nuk arriti t’ia qesë pikën këtij projekti.

Me ardhjen në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci bëri hapjen e ofertave të kësaj kompanie. Nuk vonoi shumë dhe u nënshkrua një memorandum i mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane, me anë të të cilave ato zotoheshin që të negociojnë disa mospajtime për përmbylljen e marrëveshjeve komerciale.

Ai priste marrëveshjet komerciale të nënshkruheshin në mesin e vitit 2016.

“Me investitorin amerikan jemi në përmbyllje të fazës së marrëveshjeve komerciale dhe presim që nga fundi i qershorit- fillimi i korrikut, të vazhdojmë me fazën tjetër që do të jetë pakoja tenderuese për ndërtimin e termocentralit. Nëse nuk kemi pengesa, një vit nga tash do të nisë puna e vërtetë e njërit nga investimet më të mëdha në të gjithë sektorët”, kishte thënë Stavileci me datën 4 maj 2016.

Marrëveshjet nuk u nënshkruan, përkundër që Stavileci ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik deri në shtator të 2017.

Premtimi i Thyer i Kadri Veselit për Mos-Rrëzim të Qeverisë

by Erjonë Popova
NA NDIQNI

Send this to a friend