Komisioni i Lustracionit i Maqedonisë - Foto: kvf.gov.mk

Kreu i Lustracionit Akuzon Gjykatën për Sabotazh

Tome Adziev, kreu i Komisionit të shumëdiskutuar të Lustracionit në Maqedoni, zyra shtetërore që është caktuar të çrrënjosë ish-bashkëpunëtorët e policisë sekrete, ka akuzuar Gjykatën Administrative se ka miratuar vendime “të çuditshme” që shkatërrojnë punën e Komisionit.

“Shtatëmbëdhjetë nga vendimet tona të lustracionit janë anuluar nga Gjykata vetëm gjatë muajit të fundit dhe këtij që ne jemi tani. Kjo është bërë pasi Gjykata i mbajti dosjet në sirtar për një vit. Të gjitha vendimet e tjera që janë kontestuar para Gjykatës – rreth 40 të tilla – ka shumë mundësi të anulohen gjithashtu”, shtoi Adziev.

Adziev tha se Gjykata Administrative i kishte bazuar vendimet e saj në faktin që Komisioni nuk i lejoi personat e prekur të merrnin pjesë në procedurën e lustracionit, duke injoruar dokumentet e arkivit të policisë që, sipas tij, tregonin se këta persona ishin vërtet ish-bashkëpunëtorë.

Në shpjegimin për vendimet e saj, Gjykata tha se Komisioni kishte shkelur ligjin.

“Komisioni nuk lejoi pjesëmarrje aktive të personave të përfshirë në procesin e lustracionit në procedurë dhe nuk i lejoi ata të kishin qasje në dokumentet inkriminuese të përdorura kundër tyre”, tha ajo.

Gjykata Administrative nuk ishte e disponueshme për komente të martën.

Vojislav Stojanovski, një ekspert ligjor në Komitetin maqedonas të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, tha për BIRN: “Anulimi i vendimeve të lustracionit nga Gjykata Administrative nënkupton se nga aspekti ligjor, këto vendime s’kanë ekzistuar kurrë. Duke qenë kështu, Komisioni i Lustracionit tani nuk ka të drejtë për procedura të rinovuara dhe vendime të reja.”

Gushtin e kaluar, pas kritikave nga Brukseli, Komisioni i Lustracionit i dha fund procesit të tij shumë të diskutuar të lustracionit që prej fillimit të këtij viti.

Megjithatë, ai lë në fuqi dënimet ekzistuese kundër më shumë se 200 personave të lustruar deri më tani. Në to përfshihen ndalimi i çdo bashkëpunëtori të policisë sekrete për të punuar në institucione shtetërore.

Në qershor 2015, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të zgjidhur krizën politike në Maqedoni, Komisioni Evropian i dorëzoi Qeverisë në Maqedoni një raport që përmbante një listë të gjatë reformash të sugjeruara.

Në to përfshiheshin thirrje për “të riparë/shfuqizuar Ligjin mbi Lustracionin dhe vënien në zbatim të tij”, duke thënë se “për lustracionin janë përdorur arsye ideologjike apo partiake”.

Kritikat erdhën pas përgjimeve të bisedave të zyrtarëve, të cilat u bënë publike nga opozita maqedonase, dhe sugjeronin se Qeveria kishte ndërhyrë në procesin e lustracionit.

Maqedonia ndoqi hapat e shumë shteteve ish-komuniste që kanë miratuar ligje lustracioni si një mënyrë për të adresuar padrejtësitë e kaluara që vijnë si pasojë e ndjekjeve penale me motive politike.

Por që kur Komisioni filloi punë në vitin 2009 në Maqedoni, ai ka hasur në shumë polemika.

Opozita tha se procesi ishte keqpërdorur për të vënë nën shënjestër kritikët e Qeverisë dhe në dhjetor të vitit 2012, në shenjë proteste, ajo largoi dy nga anëtarët e saj nga Komisioni.

Disa, si për shembull ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, kanë paditur shtetin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg – dhe kanë fituar.