Kosova Hyn në Agjendën për Pranim në INTERPOL

Shteti i Kosovës ka hyrë në agjendën e sesionit të 87-të të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që do të mbahet prej 18-21 nëntor 2018 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këtë e ka konfirmuar për rtv21.tv, Kastriot Muçolli, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që pritet të mbahet në nëntor të këtij vitit, pritet që të hidhet në votim kërkesa e shtetit të Kosovës për tu pranuar në këtë organizatë.

“Mund t’ju konfirmoj se ministri Sefaj ka pranuar njoftimin zyrtar se Kosova ka hyrë në agjendën e sesionit të 87-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet prej 18-21 nëntor 2018 në Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka thënë Muçolli.

Kujtojmë se vitin e kaluar kryeministri, Ramush Haradinaj 5 ditë para se të vendosej për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, kishte thënë se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për të pranuar në këtë organizatë dhe kishte marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për takimin e ardhshëm të kësaj organizate./21Media