Maja Kociancic | Foto: BE

Kocijançiq: Bisedimet Teknike Mes Kosovës dhe Serbisë Vazhdojnë në Mars

Pas bisedimeve dyditore mes ekipeve të Kosovës dhe Serbisë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha se bisedimet do të vazhdojnë në muajin tjetër, duke përmendur edhe Marrëveshjen për Asociacionin.

“Diskutimet u zhvilluan në frymë konstruktive dhe rezultuan me identifikimin e përbashkët të shumë çështjeve dhe hapave që duhet ndërmarrë për implementimin, deri në normalizimin e marrëdhënieve. Ata u pajtuan që bisedimet për implementimin e marrëveshjeve në Lirinë e Lëvizjes, IBM dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, urën në Mitrovicë dhe energjinë të vazhdojnë muajin tjetër”, ka shkruar zëdhënësja e BE-së në “Twitter”.

Kocijançiq tha se shefat e ekipeve negociatore, Avni Arifi dhe Marko Gjuriq, bashkë me ekipet e tyre në takimet e 26 dhe 27 shkurtit kanë diskutuar për implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët, por që ende nuk kanë gjetur zbatim.