Jehona e Deklaratës së Ivan Pajiqit në Mediat Serbe

Intervista e Ivan Pajiqit, dëshmitarit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi, e transmetuar të enjten në Emisionin “Jeta në Kosovë” ka bërë jehonë edhe nëpër mediat e Serbisë.

Agjencia Beta dhe portalet “Novi Magazin” e “Autonomija” e kanë bërë lajm deklaratën e Pajiqit se gjatë vrasjes së vëllezërve Bytyqi i pranishëm ishte edhe koloneli i atëhershëm i Forcave Speciale të Serbisë Goran Radosavleviq – “Guri”.

Të tri këto media serbe kanë marrë nga emisioni pjesën e deklaratës ku dëshmitari i vrasjes së vëllezërve Bytyqi tregon praninë e “Gurit” në momentin e vrasjes.

“Kam parë tre njerëz të cilëve duart u ishin lidhur me tel dhe kishin shirita tëba5rdhë të lidhur në sy. Kam parë mes tyre edhe Goran Radosavleviq- “Gurin” , i cili ishte i armatosur. Vrasja ka ndodhur para syve të tij.Kam parë të shtënën pas qafe, pas së cilës kam ikur, pasi e kam ditur që edhe unë mund të kem probleme nëse më shohin.rreth orës 18:00 kjo ndodhi më 9 korrik 1999 afër Petrovo Sellos”, citojnë këto tri media deklaratën e Ivan pajiqit për Emisionin “Jeta në Kosovë”.

Këto media në lajmin e tyre tregojnë edhe se Goran Radosavleviq- “Guri” ishte komandant i xhandarmërisë serbe nga viti 2001 në vitin 2004, ndërsa në vitin 2010 ishte bërë anëtar i Partisë Përparimtare Serbe të Presidentit Alekandar Vuçiq.

“Ivan Pajiq tregoi që të njëjtën deklaratë e kishte dhënë edhe në Prokurorinë e Lartë Publike të Negotinit në në gusht të 2017, dhe para kësaj edhe në vitet 2014 dhe 2013”, raportojnë tri mediumet.

Ato më tutje bëjnë me dije se Pajiq atë që kishte parë ia kishte treguar në fillim vetëm babait të tij, pasi nuk guxoi t’ia thotë askujt tjetër.

“Nuk kemi pasur kurrë probleme derisa nuk e kuptuan se e kam parë vrasjen”, tregoi Pajiq në intervistën që me të e zhvilloi gazetari kosovar Faik Ispahiu, thonë tri mediat serbe.

Tre vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi, qytetarë amerikanë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, si pjesë e Brigadës “Atlantiku”, që përbëhej kryesisht nga kosovarë shtetas amerikanë dhe të vendeve të Evropës Perëndimore.

Pas përfundimit të luftës, të tre vëllezërit po i dërgonin fqinjët e tyre romë për siguri në Kralevë të Serbisë kur u zhdukën. Trupat e tyre u gjetën në një varrezë të pashënuar në vitin 2001.

Kjo vrasje e pazgjidhur vazhdon të jetë një çështje e vazhdueshme mes ShBA-së dhe Serbisë, edhe pse presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq ka premtuar se rasti do të zgjidhet.

Emisionin “Jeta në Kosovë” në të cilin u shfaq intervista me dëshmitarin Ivan Pajiq mund ta ndiqni në vijim.