Isa Mustafa: Dialogu me Serbinë Duhet të Mbyllet me Njohjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se dialogu ndërmjet Kosovës dhe serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke të dy vendeve si qëllim final.

Këto komente Mustafa i bëri në një tryezë në Prishtinë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike e Politike (GLPS) në ditën kur janë bërë katër vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë të parimeve në këtë dialog ndërmjet ish kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

NDËRLIDHUR

“Dialogu duhet të jetë i kornizuar në mënyrë që brenda një periudhë të caktuar ta kemi njohjen e Serbisë si përcaktim themelor i dialogut”, tha Mustafa.

Ai tha se dialogu i ka dhënë Kosovës disa procese të cilat ai i ka quajtur pozitive, ndërsa ka akuzuar Serbinë se po u bishtnon implementimit të disa marrëveshjeve të arritura gjatë këtij procesi.

Ai përsëriti se tempo e dialogut duhet të ndryshojë, e sidomos në çështjen e implementimit të marrëveshjeve të arritura.

“Duhet të merremi vesh cilat janë temat që duhet t’i zgjedhim përmes dialogut dhe duhet të diskutojmë për procedurat e implementimit sepse është shpenzuar shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve dhe është e papranueshme të kemi prapë marrëveshje për implementim”, tha ai.

Por për kryeministrin e Kosovës, dialogu nuk ka alternativë.

“Kemi trashëguar probleme me Serbinë të cilat nuk mund t’i zgjidhim ndryshe përveç dialogut prandaj kërkoj përfshirjen e BE-së që të mos e lejojë Serbinë të kushtëzojë”, tha ai.

Ai tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Por ai e pranoi se jo të gjitha strukturat paralele janë shuar deri më tani.

“Jo të gjitha strukturat paralele janë shuar. Strukturat paralele janë shuar vetëm në ato pjesë ku ne kemi arritur marrëveshje. Do të shuhen edhe gjykatat paralele dhe do të hiqen targat paralele nga përdorimi”, tha ai.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, Mustafa u shpreh se pala kosovare ka insistuar që kjo të bëhet mbi bazën e marrëveshjeve, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por ai tha se serbët në institucionet e Kosovës nuk janë të interesuar të bisedojnë për themelimin e Asociacionit.

“Kohëve të fundit nuk kam parë disponim nga ana e serbëve që të punojnë për Asociacionin. Ndoshta arsyeja është se atyre nuk u pëlqen që kjo të bëhet mbi bazën e Kushtetutës, por rrugë tjetër nuk ka. Asociacioni do të bëhet vetëm në bazë të Kushtetutës”, tha ai.

Ndërsa dialogu është stopuar së fundmi, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, bëri thirrje që dialogu të vazhdojë.

“Palët duhet t’i kthehen dialogut pa vonesë”, tha ajo.

Nga ana tjetër, kryeredaktori i ‘Koha Ditore’ Agron Bajrami, tha se Serbia është trimëruar nga zhvillimet e fundit globale.

“Rrethanat globale në botën e jashtme kanë pasur ndikim të madh. Dalja nga Britanisë nga BE-ja, zgjedhjet në Amerikë si dhe një dobësim i Bashkimit Europian, i kanë dhënë motiv kryeministrit serb që të provokojë me rastet e fundit që i kemi pas në Kosovës”, tha Bajrami.

19 Prill 2017 - 10:52

Taulant Osmani 19/04/2017 - 10:52
NDËRVEPRIMI0

Isa Mustafa: Dialogu me Serbinë Duhet të Mbyllet me Njohjen e Kosovës

by Taulant Osmani
NA NDIQNI