Gjykimi për pesë kilogramë heroinë | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Narkotikë: Isha me Njerëz të Gabuar

I akuzuari për krim të organizuar me heroinë në peshë prej 4.925,17 gramë, Shpend Lilaj, tha se gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor e kishte pranuar fajësinë pasi që i ishte mohuar e drejta e fjalës nga gjykata.

Kur çështja e tij është kthyer në rigjykim, Lilaj pretendon tash se është i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

“Neve na është mohuar e drejta e fjalës në këtë gjykatë, asnjëherë nuk na është lejuar e drejta e fjalës deri në pranimin e fajësisë, vetëm ‘po dhe jo’”, tha Lilaj duke konkluduar se për këtë arsye kishte pranuar fajësinë.

Më tej, i akuzuari tha se ka qëlluar në një ditë të gabuar me njerëz të gabuar, duke aluduar në personat tani më të dënuar të këtij gjykimi.

Këtë e mbështeti edhe avokati mbrojtës i Lilajt, Besnik Berisha, i cili tha se prokuroria kishte arritur që t’i bindë të akuzuarit që të pranojnë fajësinë nën kërcënimin e pasojave që i parasheh ligji për këto vepra penale.

E gjithë kjo sipas Berishës ka ndodhur për shkak se prokuroria ka dështuar të ndërtojë akuzën në bazë të provave.

Berisha theksoi se asnjë provë e vetme nuk e inkriminon të mbrojturin e tij.

“Nuk është ai që ka koordinuar, organizuar e strukturuar një grup kriminal si në aktakuzë, asnjë provë e vetme nuk mund të artikulohet dhe të thotë se ‘shiko këtë bisedë me të cilën është indikuar Lilaj’, e cila provon ndihmën apo kontributin moral apo financiar në transaksionin me substancë narkotiku që është objekt i këtij shqyrtimi”, tha Berisha.

E prokurorja e çështjes, Merita Bina- Rugova, akuzoi avokatin Berisha se po e konteston vetëm pjesën e cila e inkriminon të mbrojturin e tij, derisa është e qartë se Lilaj, Greme dhe Isufaj kanë kontaktuar me shitësin e heroinës, Petrit Nikçi.

“Në asnjë moment nuk është ndarë asnjëri nga tyre dhe ashtu ka deklaruar edhe më herët edhe vetë i akuzuari. Të gjithë kanë hyrë në shtëpinë e Nikçit dhe kanë dalë një orë më vonë. Këtë fakt e ka vërtetuar edhe polici Etem Mirena i dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit”, shtoi prokurorja.

Andaj, prokurorja Bina- Rugova i propozoi trupit gjykues që Shpend Lilajn ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit pasi që tanimë është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprat penale.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar ishin edhe Tonin Greme, Ahmet Isufaj, Altin Allushi e Astrit Hasanaj të cilët kishin pranuar fajësinë, së bashku me Lilajn, por më pas çështja ishte kthyer në rigjykim.

Prokurorja bëri të ditur se pasi që është liruar nga paraburgimi i akuzuari Hasanaj, ai sot e kësaj dite gjendet në arrati, andaj kërkoi që propozimi i avokatit Berisha që Lilaj të lirohet nga paraburgimi të mos aprovohet.

Sipas prokurorisë, Greme, Isufaj dhe Lilaj më 19 qershor të vitit 2011 kanë hyrë në territorin e Kosovës nga pika kufitare e Morinit, ku janë takuar me Altin Allushin e Astrit Hasanajn, për të vazhduar rrugën me makinat  e tyre drejt shtëpisë së Petrit Nikçit në Pejë.

Për një shumë prej 1 mijë e 400 eurosh ata kanë bindur Altin Allushin që ta bëjë transportimin e lëndës narkotike, duke krijuar prapa tabelës së përparme të makinës së Allushit, një vend të fshehtë për drogën.

Substancën narkotike të tipit heroinë, të vendosur në dhjetë paketime, me peshë 4.925,17 gramë, të akuzuarve Greme, Isufaj e Lilaj, ua ka dorëzuar Petrit Nikçi.

Për të ai ka marrë 55 mijë euro, 5 mijë nga të cilat të njëjtën ditë ia ka dhënë Astrit Hasanajt.

Gjatë rrugës së hyrjes për në Shqipëri, më 19 qershor 2011, policia ka ndaluar Altin Allushin në fshatin Strellc të Deçanit, duke ia zbuluar brenda makinës drogën.

Të njëjtën ditë janë arrestuar në Prizren Shpend Lilaj, Ahmet Isufaj dhe Tonin Greme, ndërsa Petrit Nikçi e Astrit Hasanaj janë kapur në Pejë.

Rifillon Gjykimi i Grupit të Narkotrafikantëve