Si u konfiskuan 83.5 kilogramë heroinë të fshehur në reflektorë?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen filmimet e xhiruara bashkë me Prokurorinë e Ferizajt, e cila ka urdhëruar konfiskimin e 83.5 kilogramëve heroinë.

Droga është konfiskuar muajin e kaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Ajo ishte fshehur në 32 reflektorët e një ngarkese, e cila vinte nga Turqia e destinacion e kishte Prishtinën.

Gjatë një kontrolli të doganiereve në pikën kufitare ata vërejtën se brenda reflektorëve kishte të paketuar substancë për të cilën dyshohej se ishte drogë.

Doganieret kishin ndarë informacionin me Drejtorinë qendrore të Doganës, e cila më pas e ka lajmëruar Policinë, në këtë rast Drejtorinë e antidrogës në Prishtinë.

Urdhrat për kontrollimin dhe bastisjen e detajuar do duhej të merreshin nga Prokuroria e Ferizajt për shkak të kompetencës lëndore.

Duke pasur parasysh se kjo substancë është shumë e rrezikshme drejt Hanit te Elezit ishte nisur kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari. Fillimisht ai ka treguar se si ka ardhur deri te konfiskimi i kësaj substance narkotike.

“Kemi ardhur në doganën në Hanin e Elezit, sepse para pak orëve kemi autorizuar bastisjen e tërësishme të ngarkesës e cila ka ardhur nga Turqia e destinacion ka pasur Prishtinën. Në 32 reflektorët e ngarkuar në maunë janë fshehur 83.5 kilogramë të substancës narkotike”, tha Jashari.

Kryeprokurori Jashari me pas ka treguar se Policia në vendin e ngjarjes i ka bërë testet e para dhe informacioni ka dalë i vërtetë.

“Ne bazë të testeve të para që u janë bërë në vendin e ngjarjes sepse testet finale bëhen në laborator, këtu rezulton se kemi të bëjmë me llojin e substancës heroinë”, theksoi Jashari.

Kur kanë kaluar pak orë nga konfiskimi, aksioni i Policisë nën urdhrat e Prokurorisë ishte duke vazhduar edhe pse ishte ndalur heroina në Doganë, dërgesa lejohet të shkojë në destinacion dhe aty edhe fillojnë arrestimet e para.

“Për momentin janë duke u zhvilluar bastisje në pesë lokacione. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar shtatë persona ndërsa dy persona janë në kërkim”, ka thënë kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Prokurorja e rastit, Sebahate Sinani, brenda afatit kohor ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit për 7 të arrestuarit. Ajo në kërkesë ka paraparë arsyet pse këta të arrestuar duhet të mbahen në paraburgim dhe kërkesa e saj është aprovuar nga gjykata dhe i ka dërguar në paraburgim 7 të arrestuarit.

Raporte vendore e ndërkombëtare tregojnë që Kosova është një vend transit i sasive të drogës. Janë disa rrugë të ndryshme. E para është rruga e Shqipërisë nga vjen droga e llojit marihuanë. Këto droga që prodhohen në Shqipëri kalojnë kufirin e Kosovës dhe nga këtu transportohen për në vende të rajonit dhe vende të Bashkimit Evropian. Rrjeti i marihuanës në të dhënat që i kemi siguruar ka arritur që të transportojë dërgesa deri 1 mijë kilogramë marihuanë në drejtim të Evropës.

Një rrjet tjetër më i rrezikshëm se ai i marihuanës është hasur në trafikun e kokainës. Në vend janë siguruar po ashtu prova që ka rrugë të transportit të drogës së rrallë – kokainës. Kemi raportuar për rrjetin i cili arriti të sjellë në qytetin e Lipjanit mbi 400 kilogramë kokainë të cilat u konfiskuan ndërsa hetimet zbardhën se droga vinte nga Brazili dhe ishte e fshehur në paketime të mishit të pulës.

Përpos transportit të drogës së prodhuar në vendet e tjera vendi ka pasur probleme edhe me prodhimin vendor.

Dëshmitë flasin se në disa zona të vendit kanë nisur të ndërtohen laboratorë të cilët prodhojnë marihuanë. Vetëm gjatë këtij viti dy laboratorë të tillë janë mbyllur, njëri në Suharekë dhe tjetri në rajonin e Mitrovicës veriore.

Heroina është një drogë tjetër e cila është mjaft e rrezikshme. Rrugët e transporti të saj nisin nga Afganistani, ku prodhohet baza e drogës, vazhdojnë në Turqi dhe nëpërmjet rrugës ballkanike përfundojnë në Evropës.