Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

Hoxhaj: Liria e Kosovës Lindi në Zemrën e Mësimdhënësve

Në një konferencë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ku u diskutua për fuqizimin e mësimdhënësve me anë të lirisë së mësimdhënies, u zgjedhën fjalët që u thanë për mësuesit.

Konferenca u organizua në Ditën Botërore të Mësuesve, ndërsa zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj që ishte edhe ministër i arsimit, në konferencë tha se mësimdhënësit kanë rol shtetformues.

Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës së pari lindën te ata që dhanë mësim.

“Nëse mësimdhënësit në pjesë të ndryshme të botës kanë pasur rol në lëvizje politike e sociale, në Kosovë liria dhe pavarësia e Kosovës fillimisht ka lindur në mendjen dhe zemrën e mësimdhënësve”, tha Hoxhaj.

Edhe Marjan Dema, rektori i Universitetit të Prishtinës vlerësoi lart mësimdhënien.

“Mësimdhënia është profesioni më i çmuar dhe më i dobishëm për shoqërinë dhe ka ndikimin më të madh për lumturinë e përbashkët”, tha Dema.

Ndërsa, Fehmi Hysenaj, shefi i Kabinetit të Ministrit të Arsimit tha se mësimdhënia është njëra nga shtyllat themelore të sistemit arsimor në një vend dhe se avancimi i arsimit, sipas tij, do të jetë synimi kryesor për MAShT-in.

Hysenaj lavdëroi edhe kurrikulën e re e cila ka nisur të zbatohej sivjet në arsimin parauniversitar.

“Kurrikula e re është një instrument shumë i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së arsimit”, tha Hysenaj.

Pjesë e konferencës ishin edhe shumë mësimdhënës dhe personalitete të tjera.