Ramush Haradinaj në takimin me zyrtarë të ATK-së | Foto: ZKM

Haradinaj: Zhvillimin e Kosovës e ka Penguar Menaxhimi jo i Mirë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar sot se  shkalla e lartë e korrupsionit pengon zhvillimin ekonomik dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ai është shprehur i përkushtuar që të krijohet rregull në punë.

Këtë deklaratë Haradinaj e ka bërë gjatë takimit që kishte me zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Ju e keni një rol shumë të rëndësishëm në administrimin e tatimeve dhe gjithë procesit tatimor në vend”, tha kryeministri.

Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e mirë dhe për këtë nevojitet vendosja e shtetit ligjor dhe luftimi i korrupsionit.

Haradinaj deklaroi se Kosovën në zhvillimin e saj deri më tani e ka penguar menaxhimi jo i mirë.

Haradinaj ka shtuar se rritja ekonomike e paralajmëruar prej rreth 5 për qind për vitin që vjen nuk është e mjaftueshme.

“Është mirë që t’i fuqizojmë sipërmarrësit të cilët më së miri dinë të krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi dhe të ndërmarrin veprimet më të duhura për rritjen ekonomike në vend”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, ka thënë se si institucion kyç për grumbullimin e të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës ka përgjegjësi ligjore që të kujdeset për administrimin e tatimeve në nivel qeveritar.