Foto: Arkiv

Haradinaj Merr Refuzimin e Parë për Takim

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka refuzuar ftesën e Ramush Haradinajt në cilësinë e mandatarit për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA.

“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se nga letra e Haradinajt kuptohet se ai dëshiron takim, por se nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi.

“Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë”, ka shkruar Ymeri.

Ftesë për takim, Haradinaji ka dërguar edhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.