Foto: Arkiv

Haradinaj i Frikësohet Votimit të Fshehtë të Demarkacionit

Dy liderët opozitarë Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kishin fjalë të rënda sot kur dolën para gazetarëve, një ditë para se Kuvendi të mblidhet për ta votuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Për Haradinajn, tre liderët që po kërkojnë miratimin e demarkacionit, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri veseli janë “shpirta të shitur”.

Dhe dy etiketime të tjera.

“U bëjnë thirrje shpirtrave të shitur Veseli, Thaci e Mustafa, shpirtrave të shitur e të prishtë, të mos guxojnë me ia ba këtë të keqe Rugovës dhe vendit. Kjo nuk agjendë e rreme, nuk është provincializëm. Nuk mund të fshihen këta shpirtra të shitur, këta hajna, as prapa miqësisë me Amerikën. Ky është kulmi i shpirtrave të shitur”, tha Haradinaj.

Pak më vonë, ai tha se do t’u kërkonte falje që të treve nëse ata tërhiqen nga qëndrimet e deritanishme për demarkacionin.

Tendenca e tyre është e tillë nëse vërtetë edhe nesër mbesin në qëndrimin e tyre. Nëse tërhiqen u kërkoj falje.

Haradinaj bashkë me Limajn po flisnin para një baneri të madh në të cilin ishin shkruar dy parulla të mëdha: “Kosovë deri në Çakor” dhe “Kosovë deri te Kulla e Zhlepit”.

Për Fatmir Limajn, qëndrimi opozitar ka qenë i qartë tash e 10 muaj.

“Fatkeqësisht koalicioni këto 10 muaj nuk i ka shfrytëzuar siç duhet në mënyrë që të krijohet një konsensus. Nesër ne shkojmë në Kuvend ashtu siç nuk kemi dëshiruar, të ndarë në dy kampe. Përgjegjësia për këtë gjendje i shkon askujt tjetër përveç koalicionit qeverisës”, tha Limaj.

Ai u shpreh se deputetët e AAK-së dhe NISMA-s, të lidhur në koalicion tash e disa muaj, do të votojnë kundër demarkacionit.

“Ftojmë të gjithë deputetët që nesër t’i kalojnë shabllonet dhe bindjet partiake dhe të jenë në nivel të detyrës ashtu siç e kërkon ligji e kushtetuta dhe ta mbrojnë unitetin nacional. Kjo është një problematikë e krijuar pa nevojë nga pushteti”, tha Limaj.

Edhe Haradinaj përsëriti se “tani krejt Kosova e ka kuptuar që versioni i tashëm i demarkacionit është gabim”.

Por ai po ndihet i lehtësuar kur po sheh kundërshtimin nga disa deputetë të koalicionit qeveritar.

“Për fat të mirë, numri i deputetëve që do të votojnë kundër është rritur dhe i përulemi të gjithë atyre”, tha Haradinaj.

Por kreu i AAK-së shfaqi frikën për atë që e quajti përpjekje të koalicionit qeveritar për ta votuar marrëveshjen me vpotim të fshehtë.

“Tendenca për të votuar fshehtë në parlament është tendencë e trafikimit të tillë të gjendjes”, tha Haradinaj.

“Është një Ditë D nesër kah do të shkojë vendi ynë. I përulemi deputetët e pozitës që kanë dalë nga vijat e caktuara për atë që është territori ynë”, u shpreh ai.

Edhe Haradinaj edhe Limaj u shprehën se nuk do të jenë pjesë e protestës të organizuar nga Lëvizja vetëvendosje krahas mbajtjes së seancës së nesërme.