Gnocchi: Procesi i Liberalizimit nuk po Përparon sa Duhet

Thomas Gnocchi nga Zyra e BE-së në Kosovë në një konferencë ku u fol për rrugën europiane përtej iluzioneve dhe simbolikës tha se procesi i liberalizimit të vizave nuk po përparon sa duhet.

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk po përparon sa duhet. Nuk duhen nënvlerësuar propozimet legjislative që janë bërë në muajin maj nga institucionet europiane,” tha Gnocchi.

Ai deklaroi që janë dy kërkesa të Komisionit Europian që kanë mbetur pa u plotësuar për liberalizim vizash.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe rezultatet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushtet e paplotësuara për lëvizje të lirë të kosovarëve në Zonën Shengen që vazhdimisht janë përmendur nga zyrtarë europianë.

Gnocchi në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) sugjeroi fushat që Kosova duhet t’i ketë prioritet të agjendës së saj europiane.

“Në lidhje me agjendën për integrime europiane vlen të ceken si prioritete të prioriteteve: sundimi i ligjit, reforma në administratën publike, konkurrueshmëria, klima e investimeve, arsimi,” tha Gnocchi.

Labinot Graiçevci nga Instituti RIDEA foli për sfidat e Kosovës në rrugën evropiane duke veçuar tri prej tyre.

“Sfida e parë është elita politike e cila nuk ka tregu gatishmëri për ta çuar përpara procesin e integrimit europian. E dyta, fqinji verior Serbia që gjatë tërë vitit flet për vlera perëndimore, në mesnatë kujdeset që të ndërtojë mure të reja dhe e treta-Bashkimi Europian në raport me Kosovën nuk është në gjendje të ofrojë atë që e ofron për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,” tha Graiçevci.

Por përfaqësuesja e UNDP-së Alessandra Roccasalvo tha se në raportimet që i bën në zyrën qendrore të kësaj organizate tregon për progresion e Kosovës.

“Është me rëndësi që po kemi një progres dhe në të gjitha raportimet që i bëjmë qoftë në zyrat tona qendrore po u themi që po kemi progres dhe trendi është duke shkuar më lart,” tha Roccasalvo.

Ndërsa Thomas Gnocchi nga Zyra e BE-së foli edhe për rëndësinë që Kosova duhet t’i kushtojë zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Për ne është me rëndësi që Kosova të ketë gjindshmëri të mirë në zbatimin e MSA-së dhe kjo është zgjidhja më e mirë që të tregojë se zotimet në kontekst të MSA-së janë duke u përmbushur, reformat janë duke u implementuar,” tha Gnocchi.

Qerim Qerimi nga Instituti RIDEA tha se MSA-ja duhet të shikohet si një proces që përmirëson jetën e qytetarëve.

“Ky proces nuk duhet parë si qëllim në vetvete, por si mjet që e realizon një qëllim jashtëzakonisht të madh për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe përmirësimin e standardeve të jetës,” tha Qerimi.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri