Gjysma e Pronës Dhe Gjysma e Shtëpisë i Takojnë Shyhrete Berishës

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, përkatësisht gjykatësi i kësaj lënde Shaban Zeqiraj, ka vendosur që t’ia njohë të drejtën mbi pronësinë Shyhrete Berishës.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës së Suharekës në bazë të cilit vërtetohet se Shyhrete Berisha është pronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe po ashtu pronare e gjysmës së paluejtshmërisë së pronës, në ngastrat kadastrale me numër 1082 dhe 1883 në Suharekë.

Të drejtën e pronësisë, Shyhrete Berisha e fitoi në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.

Me Aktgjykimin e Gjykatës të paditurit Arben dhe Xhelal Berisha detyrohen që Shyhrete Berishës t’ia njohin këtë të drejtë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të paditurit, Gjykata i obligon që Shyhrete Berishës t’ia paguajnë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën e përgjithshme prej 5 mijë e 478 euro.

Në bazë të kërkesës alternative, Gjykata i obligon të paditurit që në emër të shtëpisë t’i paguajnë shumën prej 130 mijë e 800.58 euro, të gjitha këto në saje të vlerës së gjysmës së shtëpisë sipas vlerësimit të ekspertizës së ndërtimtarisë.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

KALLXO.com në vazhdimësi ka përcjellë këtë gjykim. Dosjen e raportimeve nga gjykimi mund ta gjeni NË KËTË LINK.

http://kallxo.com/?s=shyhrete+berisha

 

06 Korrik 2017 - 15:41

Petrit Kryeziu 06/07/2017 - 15:41
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend