VIDEO - Nëna nga Prishtina u detyrua të lirojë banesën ku thotë se ka jetuar 40 vjet

Emisioni i sontëm ‘Drejtësia në Kosovë’ ka transmetuar hulumtimin e një procesi gjyqësor që ka nisur para 12 viteve dhe nuk është përfunduar ende.

Ky rast kishte tri procese gjyqësore të ndara- një ka mbaruar dhe dy të tjera vazhdojnë të jenë në proces njëra në gjykatën themelore dhe tjetra në Gjykatën e Apelit.

Teuta Xhakija pretendon se banesa i takon asaj dhe thotë se edhe djalin e vetëm e ka rritur aty.

Gjykata Themelore dhe gjykata e Apelit e kishin konfirmuar për “Drejtësia në Kosovë” se nga një lëndë gjendet në këto gjykatë dhe presin të vendosen.

“Drejtësia në Kosovë” kishte marrë një prononcim edhe nga Muhamet Humolli, avokat i vëllait të Teutës, Enis Xhakija, i cili çështjen e banesës e konsideroi të mbyllur.

“Nuk kemi çka me u prononcua ju referoi shkresave të gjykatave, aktgjykimi është i plotfuqishëm dhe ka marr formën e prerë”, ka thënë Humolli.

Teuta është fëmija i vetëm nga martesa e dytë e babait të saj. Babai i saj Nuhiu, tani i ndjerë, kishte edhe fëmijë të tjerë nga martesa e tij e parë. Trashëgimia nuk ishte ndarë sa ishte babai dhe nëna në jetë ndërsa për Teutën që jetoi në banesë bashkë me prindërit pasi që i kishte vdekur burri. Problemet nisën në vitin 2007, kur ajo mori një padi nga vëllai Enisi me pretekst se banesa duhet të lirohet.

“Është vëllai nga babai quhet Enis Xhakija, është fëmija i vogël i babait tim nga martesa e parë i cili e ka bë padinë në gjyq në vitin 2007 me pretendimin se i takon së është banesa e babait të tij në fakt banesa është në emër të babait e cila është bërë me mjete të përbashkëta me nënën time sepse edhe ajo ka qenë në mardhënje pune dhe kontributi i saj është aty”, theksoi Xhakija.

Kjo ngjarje tregon edhe një herë se trashëgimia  dhe regjistrimi i pronave në emër të grave vazhdon të mbetet sfidë për drejtësinë tonë.