Teuta Xhakija

VIDEO - 12 vjet nëpër gjykata, në kërkim të trashëgimisë në banesë

Emisioni i sontëm “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin rreth një procesi gjyqësor që ka nisur par 12 viteve dhe nuk është përfunduar ende.

Nëna e një fëmije, Teuta Xhakija, të cilës i ka vdekur burri, u detyrua me vendim të gjykatës t’ia lirojë banesën që gjendet në Prishtinë vëllait të saj nga babai.

Xhakija e ka apeluar vendimin e gjykatës dhe pret nga Gjykata e Apelit ta ketë parasysh rastin e saj.

“Në vitin 2007 e kam marrë thirrjen e parë nga Gjykata për me marrë pjesë në një seancë gjyqësore  lirimin e banesës ku kam jetuar, ajo ka vazhduar me vite dhe deri tash është ende në procedurë”, thekoi Xhakija për “Drejtësia në Kosovë”.

Pas 12 viteve seanca gjyqësore, vëllai i saj e kishte fituar padinë në të dy shkallët e gjyqësorit  dhe Teuta u detyrua t’ia lirojë banesën atij.

“Padia për lirimin e pronës në të cilën kam jetuar për 40 vite ka përfunduar dhe është liruar banesa ndërsa kundërpadia ime është ende në gjykatën e Apelit”, thotë Xhakija.

Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar për emisionin Drejtësia në Kosovë se lënda e saj gjendet në këtë gjykatë dhe pret radhën e vendosjes.

“Drejtësia në Kosovë” kishte marrë një prononcim edhe nga avokati i vëllait të Teutës Muhamed Humolli i cili çështjen e banesës e konsideroi të mbyllur.

“Nuk kemi çka me u prononcu. Ju referoj shkresave të gjykatave, aktgjykimi është i plotfuqishëm dhe ka marr formën e prerë”, ka thanë Humolli.