Viti i Votimeve të Vështira e të Shtyra

Një ndër to ishte ai i 26 shkurtit, kur Hashim Thaçi u zgjodh president.

Në këtë seancë, e cila bashkë me protestën jashtë zgjati më shumë se 10 orë, u gjuajt dy herë gaz lotsjellës, e tek kur u përjashtuan opozitarët, nisi votimi.

Ish kryetari i PDK-së  ishte zgjedhur President i Kosovës pas tri raundeve të votimit në Kuvend dhe përleshjeve të vazhdueshme ndërmjet protestuesve opozitarë dhe policisë jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Por, në raundin e parë, pati numërim të gabuar të votave. Një votë e Rafet Ramës i shkoi Hashim Thaçit, por edhe me këtë lëshim, ky i fundit nuk mori as gjysmën e votave të deputetëve.

Votimi u përsërit, por edhe në raundin e dytë, Thaçi dështoi të zgjidhet në krye të shtetit. Kjo ndodhi tek në raundin e tretë të votimit, në të cilin ai mori 71 vota, të cilat ia siguruan atij pozitën e kreut të shtetit.

Votim tjetër problematik ishte ai i ligjit për investime strategjike. I nisur në 2015, ky ligj ka pësuar shumë ndryshime, pasi në atë kohë cilësohej si i rrezikshëm, i cili parashihte shpronësim të dhunshëm të pronës private nëse ajo kërkohet nga një biznesmen që ka synim të investojë në Kosovë. E disa muaj më vonë, në fund të vitit 2015, qeveria ishte tërhequr nga neni për shpronësimin e dhunshëm të pronës private që ishte paraparë në draft-ligjin fillestar.

Edhe pas kësaj, është dashur të kalojnë 10 muaj që projektligji të bëhet ligj. Në tentativën e korrikut ai u votua dy herë, por prapë nuk mori votat e PDK-së. E partia e kryeministrit, LDK, arriti ta bindë partnerin e qeverisë, PDK-në, që ta votojnë tek në tetor. Menjëherë pas, Lista Serbe e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se ligji që u krijon lehtësime investitorëve synon ta bëjë të pakuptimtë Asociacionin e Komunave Serbe.

Votimi i marrëveshjes më të përfolur të vitit 2015 dhe 2016, Ratifikimi i Demarkacionit në fakt nuk u votua asnjëherë. Ajo u procedua nga qeveria për votim, por u tërhoq nga rendi i ditës më 1 shtator, me arsyetimin se “nuk janë rrethanat dhe nuk është situate e përshtatshme”.

“Si kryeministër konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situata që sot ta votojmë dhe ratifikojmë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, kishte thënë Mustafa. Kryeministri e tërhoqi atë për mos ta proceduar kurrë më.

Një tjetër “ndarje” mes PDK-së e LDK-së ishte ajo për gjykatën e tenderëve. Për kreun e anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit qeveria pati disa tentativa. Në mes të marsit partia e Kryeministrit nuk votoi për emrat e propozuar nga qeveria. E vetëm tri ditë më vonë qeveria përsëri dërgoi në kuvend emrat e refuzuar.  Seanca për OSHP-në e shty përsëri e kryesuesi me anëtarë u zgjodhën tek në fund të marsit.

Problematike për gjithë vitin ishin rezolutat. Herë në mungesë kuorumi e herë në mungesë votash, në kuvend kanë dështuar të votohen  një sërë rezolutash. Kujtojmë propozim-rezolutat për kodin telefonik dhe për gjendjen në veri të vendit, të cilat në mungesë kuorumi u shtynë por votim, por edhe kur u mblodhën deputetët ato nuk kaluan.  E është votuar e modifikuar “rezoluta e butë” për Nehat Thaçin, i cila u plotësua  disa herë . Por, edhe në rastet kur ato janë votuar, pozitë e opozitë janë ankuar që rezolutat nuk po zbatohen.