Kryeministri Isa Mustafa konsultohet me ministrat dhe stafin në 'ditën e trenit'. Foto: Facebook

Trenat, Tregues i Politikës së Përçudnuar

Pas kthimit mbrapsht të trenit provokues, të nisur nga Beogradi në drejtim të Kosovës, shumëkush u përpoq ta paraqiste veten hero, në veçanti ata që për vite kishin administruar mbrapshtë thuajse çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën. Por, ishin sërish forcat speciale ROSU ato që do ta paguanin çmimin e politikbërjes së gabuar, të gatshëm që t’i kundërvihen çdolloj provokimi që vinte nga Serbia.

Përtej asaj që është thënë në ‘ditën e trenit’, në fakt e vërteta është më e dhimbshme se kaq. Në takimet disa orëshe të kabinetit, kryeministri Isa Mustafa do të duhej të ishte informuar se ligjërisht, përpos mbishkrimeve nacionaliste të trenit, nuk ka ndodhur asgjë më shumë se sa që ndodh tash e sa vite në pikën kufitare në Jarinjë.

Në atë pikë ku trenat nga Serbia hyjnë dhe dalin, ndërsa autoritetet doganore dhe inspektorati nuk janë të afta t’i ndalin ato që nuk kanë leje qarkullimi.

Këto autoritete kanë të drejtë dhe obligim që në bazë të ligjin për hekurudhat t’i ndalin trenat që nuk kanë leje qarkullimi të lëshuar nga Institucionet e Kosovës.

Ligji garanton treg të hapur, saqë një kompanie të trenave për të pasur të drejtë që të operojë në Kosovë i mjafton pajisja dhe licenca e lëshuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave.

Në rrethana të tilla, thjeshtësohet edhe veprimi i mekanizmave shtetëror; mund të ndalohet secili operator që nuk është i pajisur me leje dhe certifikata të sigurisë.

Nëse ligji do të zbatohej, siç e kanë obligim institucionet, nuk do të kishte nevojë për reagim qeveritar, e as për bajraktarizëm dhe një propagandë të llojit që u zhvillua.

Por, dikujt duket se i duhej marketingu politik për konsum të brendshëm! Kjo për faktin se trenat e jashtëligjshëm pa mbishkrime vazhdojnë të hyjnë e dalin në pikën kufitare në mënyrë të kundërligjshëm, njëjtë sikur treni me simbole që u quajt provokim dhe që mobilizoi të gjitha strukturat shtetërore për parandalimin e tij.

Në aspektin legjislativ, hyrja e trenave me apo pa simbole përbën shkelje të njëjtë ligjore. Madje, në përpjekje për t’i fshehur lëshimet e deritanishme, institucionet dërguan njësi speciale dhe thuajse shpallën gjendje lufte – këta që sot pretendojnë të bëhen heronj, e realisht janë shkaktarë të kësaj situate.

Në të njëjtin nivel me politikëbërjen e përçudnuar ishin edhe deklarimet e papërgjegjshme të autoriteteve vendore të Hekurudhave të Kosovës se “kanë ngritur këto shqetësime në takimet me palën serbe në prezencë të përfaqësuesve të Komisionit Europian”. Në fakt, nuk ekziston asnjë raportim i vetëm, zyrtar ose jo zyrtar, se është bërë një kërkesë e tillë nga hekurudhat, në takimet e grupeve punuese në SEETO – South East Europe Transport Observatory (Observatori për Transport i Europës Juglindore). Pra, nuk ekziston asnjë e dhënë zyrtare se në çfarë niveli e kanë ngritur një çështje të tillë, çfarë është diskutuar, cilat kanë qenë përfundimet dhe  nuk mund të gjesh asnjë fakt relevant që do t’i mbështeste deklarimet e bëra nga Infrakos.

Me të drejtë qytetarët janë kapluar nga euforia pas kthimit mbrapsht të trenit, veprim që konsiderohet si triumf të institucioneve. Por, është shqetësuese që flitet kaq pak për faktin që pas disa vite të dialogimit ndërshtetëror, Serbia vazhdon t’ia japë të drejtën vetes karshi Kosovës që s’do të duhej ta kishte në asnjë rrethanë sipas ligjeve në fuqi. E, ata që dështuan për vite me radhë në zbatimin e ligjshmërisë, sot dalin e krekosen si heronj. Ndërkohë që e gjithë kjo situatë nuk është asgjë tjetër pos rezultat i pafuqisë së atyre të cilët përpiqen që dështimet e djeshme t’i kurorëzojnë si suksese dhe heroizma të së sotshmes. Dhe kjo nuk është hera e parë, sidomos kur dihet se makineria propaganduese është në përmasa alarmante saqë e bënë të padukshëm kufirin që ndan të vërtetën nga gënjeshtrat.

Një prej rasteve të ngjashme ishte kur Qeveria e Kosovës vitin e kaluar deklaroi se është e përkushtuar që përmes Ministrisë së Arsimit dhe Doganave të Kosovës t’i ndalojë tekstet shkollore të Serbisë që të hyjnë në Kosovë si masë e reciprocitetit që tekstet shkollore të Kosovës ishin ndaluar për shkollat e Luginës së Preshevës. Sot, pas një gjysmëvjetori shkollor, të gjitha shkollat serbe në Kosovë kanë arritur të marrin libra të ri shkollor nga Ministria e Arsimit e Serbisë – pa asnjë therë në këmbë!

Me rëndësi treni u kthye mbrapsht, por askush nuk garanton se i njëjti tren nuk do të provojë sërish për t’u futur në Kosovë – siç vazhdojnë të qarkullojnë sot e kësaj dite trenat pa mbishkrime. Njësoj siç nuk e thotë askush hapur se aleati i vërtet i provokimeve të tilla të Serbisë, fshihet aty diku, në heshtjen e djeshme të pushtetarëve tanë!