Sqarim Ndaj Reagimit të Rektoratit

Nuk ka pasur qëllim dhe nuk mund të konsiderohet si shkrim që mund të krijojë ‘përshtypje të gabuara’ siç pretendohet nga Rektorati i UP-së në reagimin ndaj këtij shkrimi. Reagimin e menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës mund ta gjeni në këtë link. http://gazetajnk.com/?cid=1,983,10004

Konsiderojmë se qasja e artikullit ku përmendet e kaluara e afërt partiake është e qëlluar dhe profesionale.

Po ashtu vlerësojmë se përmendja e emrit të prorektores Eda Vula në artikull nuk është qasje e gabuar siç pretendohet në reagim.

Emri i saj është përmendur me qëllim të informimit të lexuesit se kush udhëheq Komisionin e Studimeve dhe nuk është apostrofuar si person që përkrah të kaluarën politike mes Çekut e Malës.

Në reagim përmendni se rektori Zejnullahu ka shprehur keqardhje publike për përmendjen në media të emrave të veçantë që janë në garë për avancim.

Ky është qëndrimi i institucionit tuaj por megjithatë është obligim profesional i mediave që të merren me hulumtimin e një kandidati që synon avancimin dhe që në këtë rast ka një pozitë të rëndësishme publike siç është rasti me Et’hem Çekun, dekan i Fakultetit të Edukimit.

Është obligim dhe e drejtë që mediat të raportojnë për aplikimin për avancim akademik të një personi publik që tash mban pozitën e dekanit dhe më parë kishte post ministri e deputeti.

Po ashtu në reagim keni shënuar këtë konstatim ku pohoni se “insistimi i menaxhmentit të Universitetit për respektimin e kritereve të Statutit të UP për avancime, nuk duhet të kuptohet si  mungesë konsiderate ndaj punës pedagogjike dhe shkencore që kanë bërë njerëzit, por si mjet për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe për të përmirësuar cilësinë e kësaj veprimtarie në Universitet”.

Ne askund nuk e kemi cekur se ky insistim i menaxhmentit është mungesë konsiderate ndaj punës pedagogjike dhe shkencore të ndonjë kandidati për avancim.

Ne nëpërmjet burimeve tona kemi siguruar dokumente që dëshmojnë vlerësimin e Komisionit të Studimeve dhe kemi prezantuar konkludimin e komisionit se nuk janë kredibile revistat në të cilat janë publikuar punimet e z. Et’hem Çekut.