QKUK | Foto: KALLXO.com

Shtohen Kundërshtitë Ndaj Konkursit 'Politik' në QKUK

Përderisa disa mjekë të papunë bllokuan derën e Ministrisë së Shëndetësisë në muajin prill, duke kërkuar punë, po në prill u hap një konkurs për mjekë të rinj në QKUK.

Mjekët që atëherë u entuziazmuan se mund të gjenin vende pune, tani ankohen se kualifikimi i tyre nuk po merret për bazë duke qenë se sipas tyre, për të fituar duhet ‘krahu i fortë’.

Ndërsa QKUK thotë se konkursi ka qenë i panevojshëm dhe është kryer nën trysninë e njëanshme të Ministrisë së Shëndetësisë, vetë ministria pretendon se konkursi është hapur nga QKUK, por duke iu shmangur përgjigjes për ndikimin e tyre në hapjen e konkursit apo në punësime.

Por Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se të paktën në një rast, persona me lidhje politike apo personale me LDK-në e ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani apo me bashkëpunëtorë e afërt të tij, janë përzgjedhur për pozicione mjekësh përkundër kualifikimeve të tyre të diskutueshme.

Dyshimet për Ndërhyrje Politike Njollosin Punësimet në QKUK

Përveç një përplasjeje ndërmjet këtyre dy institucioneve, kjo situatë ka shkaktuar edhe reagimin e Trupës Ekzekutive të Inspektoriatit të Punës, e cila ka gjetur parregullsi në punësimin e disa kandidatëve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për rastin e alergologes Valbona Gashi e cila ankohet se në konkursin për alergolog ka pasur ndërhyrje politike.

Gashi nuk është e vetmja që ka pakënaqësi për këtë konkurs dhe të tjerë specialistë-kandidatë për mjekë ankohen ndaj modelit të ‘krahut të fortë’.

Dyert mbyllen për specialisten e ‘mbikualifikuar’

Oftalmologia (mjeke e syve) Qëndresa Daka thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ky konkurs është përcjellë me shumë parregullsi.

Daka ishte kandidate për pozitën mjek specialist në drejtimin e oftalmologjisë në konkursin e fundit në QKUK, por asaj as që iu dha mundësia të hynte në test.

Ajo thotë se është  specializimi është ndarë nga QKUK për punësim në të njëjtin institucion, por pas përfundimit të specializimit kontrata e lartcekur, sipas saj, nuk është respektuar nga QKUK.

“Vazhdimisht kam bërë kërkesa për respektimin e kontratës respektivisht punësimin tim në QKUK/Klinika e Oftalamologjisë dhe përgjigjia nga Ekzekutivi i QKUK/SHSKUK-së ka qenë negative me arsyetimin se nuk kanë nevojë për Specialist të Oftalmologjisë”, thotë Daka.

Ajo thotë  janë pranuar dokumentet dhe më 17 prill 2016 i është bërë ftesa zyrtare nga zyra e personelit të SHSKUK-së për pjesëmarrje në testin që do të mbahej më 19 prill.

“Ndërkohë, më 18 prill më kanë njoftuar sërish nga zyra e personelit te SHSKUK-së që të mos shkoj në test meqë sipas tyre nuk i plotësoj kriteret e konkursit”, thotë Daka.

Oftamologjia është degë e mjekësisë që kujdeset për shëndetin mjekësor të syve | Foto: Pixabay
Oftamologjia është degë e mjekësisë që kujdeset për shëndetin mjekësor të syve | Foto: Pixabay

Ky konkurs pati ngjallur entuziazëm te Daka se ajo mund të ketë një vend të punës pasi që ajo besonte QKUK do të vlerësonte arritjet dhe rezultatet e saj të larta.

“Kam shpenzuar shumë mund dhe të holla duke u munduar që të përgatitem sa më mirë profesionalisht meqë isha specializantja e vetme në Klinikën e Oftalmologjisë që më ishte ndarë specializimi pikërisht për nevojat e QKUK, sipas udhëzimit administrativ (UA Nr. 06/2009), dhe në fund më mohohet e drejta për t’iu nënshtruar një konkursi publik vetëm për tekat dhe interesat e dikujt”, thotë Daka.

Ajo thekson se QKUK-së i duhet një mjeke me kualifikimet e saj pasi notën mesatare e ka 9.67 dhe ka përfunduar e para doktoratën me fokus në sëmundjen e glaukomës, në një program në gjuhën angleze në Universitetin e Zagrebit, duke u promovuar në një ceremoni të veçantë për të cilën kishin shkruar edhe mediat në Kroaci.

Gazeta Jeta në Kosovë verifikoi se në Kroaci është shkruar për Dakën dhe arritjet e saj në mjekësi, madje edhe vetë Universiteti i Zagrebit ka publikuar në faqen e tij një artikull, ku lavdëron suksesin e saj.

Daka, e cila flet katër gjuhë të huaja, thotë se ka kryer një pjesë të specializimit në Qendrën Klinike Universitare në Lubjanë në Slloveni.

“Tash së fundi kam qenë fituese e një burse në Universitetin Ludwig-Maximillians në Gjermani”, tregon ajo duke u çuditur se si është e mundur të mos merret parasysh gjithë biografia e saj.

Ajo gjithë ankesat e veta i ka dërguar te komisioni për ankesa në QKUK, por nuk ka marrë përgjigje.

Daka thotë është e gatshme edhe për të ngritur padi në çdo organ të drejtësisë në Kosovë për atë që ajo e konsideron një padrejtësi të madhe.

Gjocaj: Konkurs i Imponuar

Edhe Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka kritika për këtë konkurs.

“Më duhet t’ju rikujtoj se ky konkurs për ne si SHSKUK dhe QKUK, ishte i imponuar, ishte konkurs i sponsorizuar nga ministrat e Shëndetësisë, është një konkurs që na imponon të bëjmë punësime në kundërshtim më prioritetet dhe nevojat reale dhe imediate që i ka institucioni jonë, ishte një konkurs përjashtues edhe për shumë kolegë të tjerë asistentë që nuk e kuptojmë pse ata nuk janë përfshirë në ato nevoja”, tha ai.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj | Foto: Facebook
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj | Foto: Facebook

Kur Gazeta Jeta në Kosovë dërgoi pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për këtë konkurs dhe duke pyetur për disa pakënaqësi alergologëve, ministria tha se ky konkurs nuk ishte hapur nga ata.

“Meqenëse është fjala për një konkurs që nuk është hapur dhe zhvilluar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ju lutemi që pyetjet e adresuara në MSh, t’i drejtoni tek autoriteti i cili ka hapur dhe zhvilluar procedurat e konkursit të cilit i referoheni”, pati deklaruar Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, thotë se këto pozita nuk janë kërkuar nga SHSKUK, ndërkohë që konfirmon angazhimin e inspektoriatit të punës në çështjen e Dakës.

“Mund t’ua konfirmoj se për 11 pozicione për punësimi të asistentëve të rregullt – mjekë specialistë në lëmi përkatëse dhe të mjekëve specialist alergolog, inspektoret e punës [sipas tyre], kanë gjetur parregullsi në administrimin e procesit të rekrutimit në 3 pozicione dhe sugjerojnë ripërsëritje të procedurës për ato pozita, konkretisht për pozitat për lëminë e Oftalmilogjisë, Biokimisë dhe Mjekësisë Internet”, thotë Gjocaj.

Gjocaj thotë se ky është vendim i shkallës se parë që mund të rezultojë me vendim tjetër të shkallës së dytë që mund të jetë i ndryshëm apo i njëjtë.

“Pra, për pozitat e sipërpërmendura, nuk do të ketë as një procedim apo veprim tutje për t’ju lëshuar/nënshkruar kontrata e punës për asnjërën nga këto lëmi si i përmenda më sipër”, theksoi Gjocaj.

Ndërsa zyra e drejtorit Gjocaj i tha Gazetës JNK se për vendimin e Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës ata kanë ushtruar ankesë.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së ju konfirmon se në fundjavën e shkuar, duke shfrytëzuar afatet ligjore, është dërguar ankesë në Trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës (TEIP) ndaj vendimit që ka nxjerrë ky institucion lidhur me konkursin e fundit. Jemi në pritje të përgjigjes nga ana e TEIP lidhur me ankesën e parashtruar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vendimi i TEIP

Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës (TEIP) pas disa ankesave ka inspektuar këtë konkurs, Basri Ibrahimi Kryeinspektor i Punës i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo çështje është ende në procedure.

“Duhet te pritni derisa te bëhet e plotfuqishme”, tha ai.

Por vendimin e shkallës së parë të Inspektoriatit të Punës të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se ankesa e Dakës dhe e dy kolegëve të saj është e bazuar dhe obligohet QKUK në afat prej 8 ditësh të ndërmarrë këto veprime.

“Të përsëritë procedurat e konkursit të datës 01.04.2016për këto pozita, Mjekë Specialistë të Oftalmologjisë, mjekë specialistë të Mjekësisë të Biokimisë Klinike, dhe mjekë specialistë të mjekësisë interne, të ftojë në intervistim të gjithë kandidatët që janë asistentë të Fakultetit të Mjekësisë (pa marrë për bazë lëndën që e ligjërojnë) shtetas të Republikës së Kosovës që posedojnë kualifikim adekuat për pozitat përkatëse”, thuhet në vendimin e TEIP ndaj QKUK.

Për këtë konkurs kanë paraqitur ankesat e tyre edhe mjekë të tjerë , Gazeta JNK ka raportuar për dyshimin për ndërhyrje politike në Klinikën e Alergologjisë.

Vendimi i TEIP. Për t’iu ruajtur konfidencialiteti janë fshirë emrat e kandidatëve të tjerë të përmendur në vendim, të cilët nuk janë pjesë e këtij artikulli.