Dorëzim-pranimi i donacionit amerikan për ShSKUK-në - Foto: KALLXO.com

ShBA i Jep Donacion 5,000 Çarçafë Klinikës së Kirurgjisë

Ambasada Amerikane i ka dhuruar Klinikës së Kirurgjisë 4,500 mbulesa shtrati për të rritur dhe 500 për fëmijë, si dhe 3,500 qese mortore për nevojat e QKUK-së.

Vlera e këtij donacioni është mbi 130,000 euro.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtori i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka falënderuar miqtë amerikanë për ndihmën e vazhdueshme dhe me domethënie shumë të veçantë.

“Jo vetëm këto ndihma që janë këtu por të gjitha që janë bërë, që janë investime milionëshe dhe të gjitha ato që i keni në plan, e dimë që keni në plan disa projekte shumë të rëndësishme për ne, sinqerisht u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës. Në emër të ShSKUK-së ju falënderojmë sinqerisht ju, përmes jush gjithë popullin amerikan, për ndihmat e vazhdueshme që bëni për popullin e  Kosovës”, tha Gjocaj në ceremoninë ku ishte i pranishëm zyrtari i Ambasadës Amerikane, Stephen Banks.

Banks theksoi me këtë rast se Ambasada Amerikane në vitet e fundit ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve dhe nivelin e kujdesit shëndetësor.

“Ambasada jonë ka punuar në mënyrë aktive për të mbështetur përmirësimin e kushteve dhe nivelin e kujdesit shëndetësor në vitet e fundit”, tha Banks.

Sipas tij, ky donacion ka qenë i lidhur ngushtë me një donacion tjetër të mëhershëm, i cili ka përfunduar në dhjetor të vitit 2015.

“Donacioni i sotëm është i ndërlidhur ngushtë me një donacion të mëhershëm, kur kemi bërë renovimin e Lavatores së QKUK-së, i cili ka kushtuar thuajse 260 mijë dollarë dhe i cili është përfunduar në dhjetor të vitit 2015”, shtoi Banks.

http://kallxo.com/perurohet-donacioni-amerikan-ne-qkuk/

Banks gjithashtu i përmendi një mori donacionesh të dhuruara në të kaluarën nga ShBA për shëndetësinë në Kosovë.

“Në vitin 2012 kemi përfunduar renovimin e dy kateve, një të Klinikës Kirurgjike dhe një të Klinikës së Infektivës, me vlerë mbi 2 milionë dollarë, kurse në vitin 2014 kemi pasur mundësi që të japin një donacion, një krah robotik si dhe një ultrazë me një vlerë prej më shumë se 200 mijë dollarë. Në vitin 2014 Zyra për bashkëpunim të mbrojtjes bashkërenditi donacionin e mjeteve në vlerë prej 10 mijë dollarëve”, shtoi ai.

http://kallxo.com/drejtoret-nuk-e-ndalin-luksin-qkuk-merr-carcafe-si-donacion/

Stephen Banks tha se vendi i tij do të vazhdojë ta përkrahë shëndetësinë kosovare me donacione të tjera.

Ndërkohë që spitalet e Kosovës po furnizohen me gjërat më elementare nga donacionet, institucionet e ndryshme shtetërore vazhdojnë të harxhojnë para për luks.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se si për riparimin e veturës së kryetarit të Komunës së Klinës do të paguhen nga buxheti i shtetit së paku 10,000 euro.

http://kallxo.com/10-mije-eurot-qe-rregulluan-range-rover-e-bashotes/

Apo, se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bleu për zëvendësministrin Gjergj Dedaj telefon “Samsung S6”.

http://kallxo.com/445-euro-per-ore-dore/

Apo edhe se si Komuna e Mitrovicës së Veriut ka blerë “iPhone” për punonjësit e saj.

http://kallxo.com/mitrovica-e-veriut-shpenzon-9500-euro-per-iphone/