UP - Rektorati

Shkelje Ligjore në Tenderin Milionësh në UP

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur që të anulohet vendimi i UP-së për të rekomanduar për kontratë 1.2 milionë euro kompaninë “Rojet e Nderit”. Tenderin e ka kthyer në rivlerësim.

Dy kompani ishin ankuar në OSHP kundër vendimit të UP-së për të rekomanduar për dhënie të kontratës kompanisë “Rojet e Nderit”: “Besa Security” dhe “Security Code”. OSHP-ja ka konstatuar se pretendimet e operatorëve ankuese janë pjesërisht të bazuara.

Vendimi i OSHP-së ishte në kundërshtim me rekomandimin e ekspertes shqyrtuese, Sabrije Bullatovci dhe eksperti teknik, Besim Mulaj, të cilët kishin kërkuar që ankesat e operatorëve ekonomik të refuzohen dhe të aprovohet vendimi i AK- Universiteti i Prishtinës.

Gjykata e Tenderëve ka konstatuar Universiteti i Prishtinës nuk i ka trajtuar të gjithë operatorët në mënyrë të barabartë.

“Paneli shqyrtues… konstaton se autoriteti kontraktues me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike, është i obliguar që në harmoni me nenin 7, paragrafi 1 të LPP-së t’i trajtojë të gjithë OE-të në mënyrë të barabartë dhe të bëjë analizat financiare të çmimit të ofruar nga secili operator ekonomik ofertues a e mbulojnë apo jo kërkesën e dosjes së tenderit për pagën 250.00 euro.

Granit Hasani, përfaqësues i OE ankues “Besa Security” tha se arsyeja e eliminimit të tyre nga Autoriteti Kontraktues është bërë me arsyetimin se nuk kanë prezantuar kontrata të mjaftueshme që kalojnë shumën prej 3 milionë euro. Ky argument, sipas tij, nuk qëndron pasi operatori “Besa Security” ka kontrata që kalojnë shumën prej 3 milionë euro gjatë viteve 2014-2015-2016.”

“Përkundër faktit që ne kemi njoftuar AK-në se vetëm me pesë kontrata ka mbi 3.2 milion euro qarkullim, të cilëve “Besa Security” i ofron shërbime nga viti 2012, duke i ripërtërirë ato kontrata çdo vit, e shumicën prej tyre ende vazhdojnë të ju ofrojmë shërbime”,  tha Granit Hasani nga Besa Security. Ai madje tha se kanë ofruar edhe kontrata shtesë që e kalojnë këtë shifër, por të njëjtat nuk u janë pranuar. Përfaqësuesi i OE ankues “Besa Security” tha se sipas formularit të deklarimit vjetor dhe pagesës së tatimeve të korporatave vetëm për 2016 ata e tejkalojnë shumën prej 3 milion euro.

Eksperti teknik, Besim Mulaj për ankesën e OE “Besa Security” ka thënë se sa i përket qarkullimit të kërkesa e kapacitetit teknik financiar, OE duhet të dëshmojë se në tri vitet e fundit 2014-2015-2016 ka pasur qarkullim me kontrata për sigurim fizik, 3 milion euro. Që sipas tij këtë kusht nuk e plotëson “Besa Security”.

“Kam kërkuar sqarime shtesë prej “Besa Security” lidhur me kontratat e prezantuara në ofertën financiare dhe për secilën kontratë veç e veç kam dhënë sqarim, dhe duke marrë për bazë periudhën 2014-2015-2016 ky OE sipas kërkesave të dosjes nuk e përmbushë kriterin prej 3 milion euro qarkullim financiar”, ka thënë eksperti teknik, Besim Mulaj.

Afrim Bajraktari, përfaqësues nga autoriteti kontraktues, Universiteti i Prishtinës në seancën e mbajtur në objektet e OSHP-së tha se “Besa Security” nuk ka mundur të ofroj pagë 250 euro me të gjitha kriteret përcjellëse siç është kërkuar në dosjen e tenderit.

“Ne kemi kërkuar në dosje që paga bruto të jetë 250 euro, mirëpo të paguhen orët e natës, festat zyrtare dhe pushimi vjetor, si dhe uniformat. Që të mos obligohen punëtorët të blejnë uniforma. Në çmimin e tyre “Besa Security” nuk mundet të ofroj pagë 250 euro me të gjitha këto kritere përcjellëse”, shtoi Bajraktari.

Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka vendosur që mos ta miratojë rekomandimin e ekspertëve shqyrtues, duke konstatuar që UP-ja duhet t’i kërkojë dokumente shtesë kompanisë Besa Security.

“Paneli shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues gjatë procesit të vlerësimit me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike se operatori ekonomik ankues “Besa Security”, a plotëson kërkesën e specifikuar në nenin 8.1 lidhur me nenin 8.2 të Fleta e të Dhënave të Tenderit (FDT-së) si dhe me dëshmitë e ofruara nga ky operator ekonomik lidhur me kërkesën në fjalë, është dashur që nga operatori ekonomik ankues të kërkoj sqarime konform nenit 72 paragrafi 2 të LPP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Eksperti teknik, Besim Mulaj rreth ankesës së OE “Security Code” ka thënë që në dosjen e tenderit kërkohet që çmimi i ofertuar të shënohet me maksimum dy numra pas pikës dhjetore, çdo numër pas numrit të dytë nuk merret për bazë në llogaritje të vlerës së ofertës. Dhe sipas tij kur bëhen kalkulimet çmimet e operatorëve ekonomik “Rojet e Nderit” dhe “Security Code” barazohen.

“Në rastin kur këto dy oferta janë të barabarta me çmim, neni 40.9 e sqaron se në rastet kur AK pranon dy apo më shumë oferta të përgjegjshme me çmime të njejta, nuk vlen votimi i anëtarëve të komisionit për përzgjedhja bëhet sipas kohës së dorëzimit të ofertës, OE që ka dorëzuar riofertën i pari shpallet fitues”, nënvizoi Mulaj.

Kurse përfaqësuesi i operatorit ekonomik tjetër ankues, Esat Tahiri nga “Security Code” ka theksuar se eksperti e ka orientuar ekspertizën me qëllim të favorizimit të OE fitues “Rojet e Nderit” duke e barazuar çmimin e ofertës, që në fund të përdorë nene të caktuara nga Udhëzimit Operativ të Prokurimit Publik, që kush e dorëzon i pari ofertën fiton.

“Pika e ankesës tonë dhe ankimimi jonë ka qenë se OE fitues nuk e ka përmbushur kriterin e pagës, që ka qenë kusht i AK-së në dosjen e tenderit. Këtë gabim OE “Rojet e Nderit” e ka bërë vetëm me ambicien që të dal më i lirë në çmim, duke plotësuar kriterin e dosjes si çmimi më i ulët i përgjegjshëm” nënvizoi Tahiri.

Sipas tij, shihet qartë dallimi i ofertave mes operatorëve ekonomik “Rojet e Nderit” dhe “Security Code” dhe nuk qëndron fakti i ofertës së njëjtë apo tre apo katër numrave pas presjes dhjetore, por që në ofertën e “Security Code” janë dy numra pas presjes dhjetore. Ai ka thënë se çmimi për orë të sigurimit mund të duket i njëjtë, por që në fakt ka një dallim të madh në kontratën totale.

“Dallimi me ofertën e “Rojet e Nderit” dhe “Security Code” është 2,856.96 euro dhe nuk qëndron fakti se jemi të barabartë në ofertim” përfundoi Tahiri, përfaqësues i OE ankues “Security Code”.

Përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Rojet e Nderit”, Arben Hasani është shprehur se çmimi i tyre ka ardhur në bazë të aplikimeve të ligjeve në fuqi dhe kushteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku të gjitha kushtet e pagës të kërkuara janë në përputhje me sistemet e ATK-së.

“Pajtohemi plotësisht me komisionin e AK-së dhe me ekspertët shqyrtues”, përfundoi Hasani.

Universiteti i Prishtinës e ka bërë njoftimin për kontratë në KRPP me datë 10 shkurt 2017, me procedurë të hapur, kontratë për shërbime me vlerë të madhe kurse afati për ofertim ka qenë deri me 15 mars 2017. Kriter ka qenë tenderi i përgjithshëm me çmim më të ulët, kontratë kornizë 36 muaj.

Për këtë aktivitet kanë aplikuar 5 operatorë ekonomikë kurse komisioni i për rivlerësim të ofertave i përbërë nga pesë anëtarë ka vlerësuar që janë dy oferta të përgjegjshme dhe ka rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik “Rojet e Nderit”.